E konfirmon Prestreshi: Do të dënohen të gjithë atë që shfrytëzojnë situatën për ngritje çmimesh
Kryetari i Autoritetit Kosovar i Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë për gazetën “Epoka e re”, se ky institucion nëse vërteton ndonjë rast që tregtarët kanë bërë marrëveshje gojore apo më shkrim për të rritur çmimet në treg, atëherë për ta do të ketë masa rigoroze.
Ai ka folur edhe për dyshimet e mundshme në rast të ngritjes së çmimit të bukës nga furrtarët e Prizrenit.
“Dje e kam thirrur mbledhjen e komisionit të Autoriteti të Konkurrencës dhe e kemi caktuar një grup të hetuesve të cilët kanë marrë përgjegjësi specifike për identifikimin e sjellësve antikonkurruese të ndërmarrjeve, të cilat potencialisht mund të bëjnë ndonjë marrëveshje gojore apo me shkrim në mënyrë të bashkërenduar për të fiksuar çmimet, sidomos në këtë situatën e fundit dhe për furrtarët e Komunës së Prizrenit. Ne veç e kemi formuar grupin punese dhe sot tërë ditën kanë qenë hetuesit në terren në bashkëpunim edhe me Komunën e Prizrenit për t’i monitoruar këto sjellje. Ne po presim rezultatet e hetuesve dhe do ta marrim vendimet e duhura sipas fakteve në terren”, ka deklaruar ai.
Po ashtu Prestreshi, ka paralajmëruar dënime deri në 10 për qind të fitimit të vitit paraprak nëse vërtetohen marrëveshjet e fshehta. “Nëse ka prova që është bërë ndonjë ‘kartel’. Tregtarët do të dënohen deri në 10 për qind të fitimit të qarkullimit vjetor të vitit paraprak. Nëse një biznes ka 1 milion euro fitim qarkullim, atëherë gjoba do të jetë 100.000 euro. Si autoritet i kemi gjobat më të larta nga të gjitha institucionet e vendit”, ka thënë Prestreshi.
(Albulena S. MAVRAJ)