E konfirmon qeveria: Kurti udhëton për në Athinë, do të realizojë edhe takime
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot (e hënë) për në Athinë. Atje ai do të marrë pjesë në një darkë të ftuar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Në këtë darkë, e cila do të mbahet për 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, të ftuar janë liderët e Ballkanit Perëndimor.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka bërë me dije se kryeministri Kurti do të zhvillojë edhe disa takime në Athinë.
“Kryeministri Kurti ka udhëtuar për në Athinë ku do të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Mitsotakis me liderët e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në 20 vjetorin e Samitit të Selanikut. Gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë edhe disa takime për të cilat do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Kryeziu për “Tëvë1”.
Ndërkohë, sipas medieve greke, Shqipëria e ftuar në nivel presidenti nuk do të përfaqësohet në këtë takim, për shkak të agjendës së paracaktuar.
Takimet e kryeministrit grek, si dhe darka informale, sinjalizojnë, siç kanë thënë burimet qeveritare greke, rolin kryesor që luan Greqia si shtyllë e stabilitetit, paqes dhe sigurisë energjetike në Ballkan dhe Evropën Juglindore.