E krahasojnë me Messin, Qëndresa Krasniqi, futbollistja nga Kosova që e vogël stërvitej me ekipe djemsh

04 korrik 2022 | 12:59

E krahasojnë me Messin, Qëndresa Krasniqi, futbollistja nga Kosova që e vogël stërvitej me ekipe djemsh

Prishtinë, 4 korrik – Qëndresa Krasniqi është një nga ato vajza që ia ka dalë. Karriera e saj flet vetë, pasi ka fituar shumë dhe është pjesë e kombëtares së Shqipërisë.

E lindur në Prishtinë, 27-vjeçarja të cilën e krahasojnë me Leo Messin prej stilit të lojës, nuk e imagjinon dot jetën e saj pa futboll. Prej këtij sporti ka marrë shumë emocione dhe i këshillon edhe vajzat e tjera të mos hezitojnë që ta provojnë.

Në intervistën e dhënë për Federatën Shqiptare të Futbollit, lojtarja që ka qenë pjesë e Prishtinës dhe Hajvalisë në Kosovë, si dhe më pas ka luajtur edhe në Zvicër me Yverdon dhe Red Boots Aarau, tregon të gjithë hapat e saj në karrierë, kalimin te Shqipëria, vështirësitë e para dhe futbollistet që e kanë motivuar atë për të ecur përpara në botën e futbollit.

Sigurisht në fund e mbyll me një mesazh për të gjitha vajzat, që të merren me sport dhe të mos ndalen në asnjë moment.

 Çfarë ju ka shtyrë të përfshiheshit në botën e futbollit? Sa vjeçe ishit kur ia nisët të luanit?
Krasniqi: Kam qenë shumë e vogël kur kam filluar të luaj, në fillim me vëllain dhe shokët e lagjes në rrugët e lagjes. Pastaj më kujtohet, që në moshën 9-vjeçare jemi regjistruar me vëllain bashkë në ekipet për djem, pasi atëherë kam qenë shumë e vogël dhe nuk ka pasur ekipe për femra për moshën time.

Na tregoni pak për hapat e tua në karrierë, ku e nisët dhe si vazhdoi gjithçka?
Krasniqi: Kur isha në moshën 12-vjeçare u hap klubi i femrave FC Prishtina. Mu bë ftesa nga trajnerja ime e parë Afërdita Fazliu, që të bëhem pjesë e ekipit të femrave të Prishtinës, vendit ku unë jetoja. Ka qenë për mua një ëndërr e bërë realitet që të bëhem pjesë e një ekipi futbolli për femra.  Një vit pasi ju bashkova klubit FC Prishtina kam fituar çmimin si “Talentja e vitit 2009”. Ndërsa në vitin 2010 kam fituar çmimin si futbollistja më e mirë e re e vitit. Këto çmime ishin motiv për mua që të punoja dhe që të arrija sa më shumë në futboll. Për 4 vite me radhë, 2012-2016 fitova çmimin “Futbollistja më e mirë e vitit” në kampionatin e femrave në Kosovë. Për mua ishte ndjenja më e mirë që kam përjetuar, sepse futbolli për mua ishte pjesa më e rëndësishme e jetës sime.

Gjithashtu sa isha pjesë e ekipit FC Prishtina kemi pasur pastaj trajner Suad Keqin. Ai ishte trajner edhe i vajzave, edhe ekipit të të rinjve të djemve.  Çdo ditë kam bërë  stërvitje paradite me ekipin e vajzave dhe pasdite me ekipin e të rinjve të djemve. Trajneri me thoshte ti je më e mirë se shumë djem që kam unë në ekip. Sa isha pjesë e ekipit të Prishtinës kemi arritur të fitojmë të gjitha trofetë në garat e femrave, ishim kampione dhe fitues të Kupës së Kosovës. Me të vërtetë, tani që i kujtoj, ato momente dhe emocione janë pjesa më e mirë që kam kaluar në jetën time.

Në vitin 2016 u bëra pjesë e klubit FC Hajvalia, klubi i parë në Kosovë që ka filluar të paguajë në futbollin e femrave. Për mua dhe bashkëlojtaret e mia ishte një motiv shumë më i madh që ne të punonim dhe të arrinim sa më shumë suksese, kur e dinim që djersa jonë për herë të parë pas kaq shumë viteve do të na paguhej.  Po atë vit, me punë disiplinë dhe shumë sakrifica arritëm që të shpallemi kampion dhe ishim ekipi i par i femrave në Kosovë që do të merrnim pjesë në Champions League.

Me të vërtetë s’ka fjalë që të përshkruaj ato emocione. Ëndrra e u bë realitet. Me te vërtetë nuk mund të përshkruhen fjalë ato emocione, që vetëm futbolli mund t’i dhurojë. Hajvalia më mundësoi  që në vitin 2017 karrierën time ta vazhdoja në futbollin zviceran. Ishin momentet më të lumtura të jetës time. Ëndrra ime ishte gjithmonë që një dit të arrija të luaja në një klub jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Me të vërtetë për të folur për futbollin nuk më mjaftojnë fjalë t’i përshkruaj emocionet që më ka bërë të përjetoj. Mund të them që është pjesa më e bukur dhe më e rëndësishme që kam kaluar në jetën time.

 Për femrat nuk është e lehtë të merren me futboll, po për ju si ka qenë? Kush ju ka mbështetur më shumë?
Krasniqi: Është normale që në fillim ka qenë shumë e vështirë, pasi jemi paragjykuar shumë dhe thuhej se  “futbolli nuk është për vajza” e shumë fjalë të tjera që nuk më kanë bërë të ndihem mirë. Me përkrahjen e familjes, vullnetin dhe dëshirën që një ditë të bëhem një futbolliste shumë e mirë, nuk jam ndalur kurrë dhe kam arritur të gjitha këto suksese, që janë pjesë e paharruar dhe më të bukurat e jetës time.

Keni ndonjë idhull, futbollist apo futbolliste që ju motivon?
Krasniqi: Idhull futbollist ose futbolliste nuk kam, por më pëlqen shumë loja e Lionel Messit. Pak a shumë më krahasojnë shumë me stilin e lojën e tij. Kjo më bën të ndihem shumë mirë. Si futbolliste shqiptare që kanë arritur shumë në futboll, janë Fatmire Bajramaj dhe Kosovare Asllani ato që më motivojnë.

Sa ka ndikuar futbolli te ju, në çdo aspekt të jetës? Ju kanë parë ndryshe apo diçka tjetër?
Krasniqi: Futbolli ka ndikuar shumë, vetëm për gjëra të mira në jetën time. Nuk do të mund ta paramendoja jetën time si do të ishte po të mos isha futbolliste. Futbolli është një pjesë që me të vërtetë s’mund ta përshkruash me fjalë, çfarë emocionesh të dhuron. Jam me fat që është pjesë e jetës time.

Kohët e fundit futbolli i femrave po merr mbështetje nga FIFA, UEFA dhe federatat. Si e shikoni këtë?Krasniqi: Me të vërtetë tani kemi përkrahje shumë më të madhe për futbollin e femrave. Në fillimet tona as që i kemi imagjinuar ndonjëherë. Është motiv shumë më i madh për ne, që të punojmë dhe të arrijmë rezultate sa me pozitive.

Ju jeni pjesë e kombëtares shqiptare. Çfarë domethënie ka për ju? Çfarë emocionesh ju jep të luani për Shqipërinë?
Krasniqi: Normal, ëndrra e çdo futbollisti apo futbollisteje është që një ditë të përfaqësojë vendin e vet. Unë jam shqiptare nga Kosova, por për mua është nder dhe krenari që jam pjesë e kombëtares së Shqipërisë janë emocione që s’mund të përshkruhen kur këndohet himni i Shqipërisë dhe përfaqësojmë ngjyrat kuq e zi.

 Herën e parë te Shqipëria si e mbani mend? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje atëherë?
Krasniqi: Unë kam qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës, po për shkak se atëherë nuk ishte pjesë e FIFA dhe UEFA, më erdhi ftesa prej Shqipërisë dhe e pranova. Hera e parë që jam bërë pjesë e kombëtares së Shqipërisë ka qenë në vitin 2016. Kam qenë e vogël dhe ishte një ndjenjë e papërshkrueshme. Kam pasur shumë emocione, por i falënderoj të gjitha vajzat dhe stafin e kombëtares, që në ato kohë më kanë mbështetur dhe më kanë motivuar që unë të punoj shumë që të jem pjesë e kombëtares dhe të arrijmë suksese së bashku.

Çfarë mesazhi i jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?
Krasniqi: Unë dua të ju them të gjitha vajzave të vogla, që e duan futbollin dhe kanë talent, të mos ndalen kurrë, të punojnë shumë sepse futbolli të dhuron emocione që shumë rrallë mund t’i përjetosh. Me punë, disiplinë dhe karakter mund të arrijnë që ëndrrat e tyre t’i bëjnë realitet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka vizituar sot…