‘E kreva këtë punë’, i kishte thënë Murseli Kokallës pas vrasjes së Liridona Ademajt
Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt, ka përfunduar dje me Aktakuzë ndaj katër personave, duke përfshirë këtu sipas Prokurorisë: bashkëshortin e së ndjerës Naim Murselin, djalin e dajës së tij Kushtrim Kokallën; dorasin Granit Plava dhe Tomë Dodajn, i cili dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla e Tom Dodaj janë katër persona që tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje që u regjistrua më 29.11.2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Djali i dajës së Naim Murselit, Kushtrim Kokalla gjatë deklarimeve të tij të dhëna në Polici kishte treguar se si Naim Murseli e kishte lutur për një vit atë që ta vriste Liridona Ademajn.
Ky i fundit në Polici ka deklaruar se i ka thënë Murselit që të mos e përmendë më asnjëherë këtë punë.
Kushtrim Kokalla ka treguar tutje momente të takimit me Naim Murselin në natën kritike, kur kishte dëgjuar se është vrarë Liridona Ademaj.
Takimi sipas tij kishte ndodhur në hotelin “Swiss Diamond”, ku sipas Kokallës bashkëshorti i Ademajt i kishte thënë “E kreva këtë punë”.
Kokalla ka deklaruar se me të dëgjuar këtë fjali kishte qenë i shokuar dhe i kishte thënë nuk donte të dëgjonte asgjë më shumë, lidhur me këtë rast.
Tutje Kokalla ka shpjeguar se po atë natë kishte marrë një thirrje nga Granit Plava për të shkuar në një diskotekë. Sipas deklaratës së Kokallës, Plava i kishte dërguar një video nga diskoteka.
Kokalla ka thënë se i ka shkuar mendja që ta paraqesë rastin në Polici, por që ishte frikësuar për mirëqenien e tij dhe të familjes së tij nga Naim Murseli.
Pasi kishte ndodhur varrimi i Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla shpjegon se së bashku me Naim Murselin kishin shkuar te shtëpia e gruas së vëllait të Naim Murselit për t’i marrë fëmijët. Rrugës kthyese për në Prishtinë, Kokalla ka deklaruar se kishin parë patrulla të Policisë duke shkuar te shtëpia e Granit Plavës dhe në ato momente Murseli e kishte pyetur Kokallën nëse e kishte ‘me vete alltinë’.
Por, si kishin rënë në kontakt Granit Plava dhe Naim Murseli?
Një javë para se të ndodhte vrasja e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla tregon se Murseli dhe Plava ishin njoftuar.
Takimi i parë i Murselit dhe Plavës kishte ndodhur te pompa “Shell”.
Sipas Kokallës, Murseli e kishte pyetur Plavën se “Me çka merresh?”, ky i fundit i kishte thënë “Me gjithçka”. “Ti po vyjshe.” – është deklarimi i Kokallës për fjalët që i ka thënë Murseli Plavës.
Të njëjtën ditë kur ka ndodhur takimi, Kokalla tregon se Murseli i kishte shkruar në telefon për t’ia kërkuar numrin e Granit Plavës – duke ia siguruar këtë numër kontaktues.
Kushtrim Kokalla tregon për Naim Murselin se kishte hyrë në kredi rreth 25 mijë euro – arsyet e kredisë nuk i kishte treguar asnjëherë.
Më 29.11.2023 natën kritike, Murseli e kishte kontaktuar Kokallën duke kërkuar një takim të shkurtër, duke i thënë se ‘Sot duhet të kryhet kjo punë’ – me aludim në vrasjen e gruas së tij.
Kushtrim Kokalla kishte shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje në Prokurori, më 24.01.2024.
Çfarë kishte deklaruar Naim Murseli para Policisë dhe Prokurorisë?
Rrëfimin e tij për ditën kritike Murseli e kishte filluar se kishin qenë cak i një grabitjeje, kur ai së bashku me fëmijët e tij kanë dalë nga vetura, ndërsa Liridona nuk kishte arritur ta bëjë një gjë të tillë.
Në Polici Murseli kishte deklaruar se raporti martesor me bashkëshorten e tij ishte përkeqësuar me elemente të xhelozisë, karakter temperament të Liridonës dhe elemente kontrolluese.
Tashmë i akuzuari, Naim Murseli përpos në Polici kishte treguar se për problemet që kishte me bashkëshorten kishte biseduar edhe me djalin e dajës së tij, Kushtrim Kokallën.
Kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se ky rast ka qenë i ndjeshëm dhe për atë ka qenë një kufizim për dhënie të informacioneve.
“Po ashtu, siç e dini, rasti ka qenë i inskenuar si grabitje, por në një afat të shkurt kohor kemi arritur t’i gjejmë kryerësit e veprës penale. Janë zhvilluar hetime në shumë dimensione, për arsye se kemi siguru ekspertiza edhe nga jashtë, edhe nga brenda vendit tonë.” – tha Gashi.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi në një Konferencë për media më 15.01.2025 ka bërë të ditur se kanë ngritur Aktakuzë, lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Gashi ka thënë se lidhur me rastin janë zhvilluar hetime në shumë dimensione dhe se kanë siguruar ekspertiza nga brenda dhe jashtë vendit.