E kujt është qeverisja: personale e Ramës apo e socialistëve?
Nga Bedri Islami
Debati, në dukje konstitucional, në fakt shterp, se kujt i takon e drejta e emërimit të kabinetit qeveritar, la në hije faktin tjetër, që është, po ashtu, tejet i diskutueshëm dhe tek i cili është harruar ndalja.
Presidenti Meta dekretoi në grupin e dytë të miratimit të ministrave katër prej tyre, pasi më parë, duke mos pasur asnjë lloj arsyeja për shtyrje, kishte dekretuar katër deputetë, të cilët, për vetë pozicionin e tyre, ishin të patjetërsueshëm.
Tani, Anila Denaj, si ministre e Financave, Besa Shahini, si ministre e Arsimit, Belinda Balluku, si ministre e Energjisë dhe Elva Margeriti, si ministre e Kulturës, presin një akt më se formal, miratimin e tyre nga shumica qeverisëse, njëkohësisht parlamentare, pavarësisht se disa prej tyre kanë qenë e vazhdojnë të jenë krejt të panjohur. Kartonët do të ngrihen duke i dhënë dritën jeshile suportit të tyre qeveritar.
Të gjithë propozimet, së bashku me lëvizjet e tjera, ishin zgjedhje ekskluzive e shefit të qeverisë, Edi Rama, i cili, në parim ka edhe tagrin për të bërë ndryshimet e tij qeveritare. Njëra nga ministrat e ardhshëm, Besa Shahini, vjen nga shqiptarët e përtej Drinit, nga Kosova dhe ka qenë militante e Lëvizjes VV. Nga kjo lëvizje vjen edhe i pamandatuari në postin e ministrit të Jashtëm, dhe “molla e sherrit” qeveri – presidencë, Gent Cakaj.
Belinda Balluku ka qenë një funksionare e Bashkisë së kryeqytetit, kur drejtonte Rama dhe e njohur e vjetër e tij. Anila Denaj nga bota e financës, Elva Margeriti nga një funksion tjetër anësor. Nuk është e rëndësishme pozicioni i saj si këshilltare pranë qeverisë Rama, ashtu si nuk ka asnjë rëndësi për temën e këtij shkrimi rruga që kanë bërë anëtarët e rinj të kabinetit.
Rama, papritmas, i propozoi ata, kur asnjëri nuk e dinte dhe kur, si ndodh në politikën tonë, askush nga ajo sallë e madhe dhe me emër të madh, si Asamble Socialiste, nuk e dinte dhe që, kur kryeministri po lexonte emrat, disa i binin me bërryl njëri-tjetrit dhe pyetnin nëse i njihnin ministrat e rinj.
Askush nuk e mohon të drejtën e shefit të qeverisë për të bërë kabinetin e tij qeverisës. Ai e ka këtë tagër, por përtej këtij tagri dhe ndoshta i vendosur mbi të, është një e drejtë tjetër, e organit politik më të lartë që i ka deleguar të drejtën shefit të partisë për të qeverisur.
Të gjithë të emëruarit e momentit të dytë presidencial nuk kanë asnjë lidhje me strukturat e Partisë Socialiste. Ata kanë qenë, ndoshta edhe do të jenë, jashtë strukturave të saj. Do të jenë ndoshta nga të paktët përfaqësues qeveritarë të një force politike që nuk i takojnë. Nuk e di as nëse e njohin programin e saj politik dhe ekonomik, idenë fillestare të Rilindjes si koncept qeverisës, pengesat që ka pasur dhe gabimet e fajet që janë bërë; nuk e di nëse kanë dijeni se kush është në drejtimin e saj, ashtu si nuk e di nëse të gjitha, pesë vite më parë, kanë votuar për të.
Ideja se kryepushtetari politik dhe kryepushtetari qeverisës, duke qenë i njëjti, mund të bëjnë si të duan jashtë forumeve, për të cilat as nuk pyesin, e asfikson këtë të fundit. E bën të pajehonë, zëmbytur dhe të nënshtruar deri në rrënjë ndaj mendimit të çastit kryeministror, e nxjerr atë në jashtëlojën e pazakonshme dhe e bën apatike për vetë emrat e propozuar dhe për të cilët, pas pak ditësh do të duhet të votojnë.
Zgjedhjet parlamentare, qoftë pesë vite më parë, qoftë para një viti, askush, as edhe vetë Rama, nuk i ka fituar i vetëm. Miti se një njeri mund të bëjë gjithçka, pa ndihmën e strukturave, është kaq shumë i gabuar, sa që, vetëm kur bien nga fiku i pushtetit, e kuptojnë se sa të vetmuar janë.
Tepsinë e pushtetit e kanë fituar së bashku, që nga votuesit e zakonshëm, deri tek militantët e shumtë dhe të heshtur.
Duke qenë e drejtë ekskluzive e kryeministrit është njëkohësisht edhe e drejta e strukturës politike që drejton dhe që është rropatur e ka bërë gjithçka që ka mundur për të fituar pushtetin.
Dështimi i ekipit qeveritar, nëse ndodh, nuk do të jetë vetëm ndëshkim i një njeriu, por i tërë forcës politike që e ka mbështetur atë dhe i ka besuar drejtimin.
Nëse gjysma e kabinetit është jashtë forcës politike ai mund të jetë lehtësisht një kabinet teknik, por jo i një force politike.
Përse ndodh kështu?
Ka shumë arsye, që nga ajo që përcakton saktësisht Bajroni në poemën e tij të famshme, “Çajld Harold”, vetia e trashëgueshme e shqiptarëve për të shkuar nga i çon i pari i tyre, e deri tek ligji i tashëm elektoral, që shefin e partisë e bën brenda forcës së tij politike si njeriun që hedh shi e sjell borë, që bën diellin dhe hënën dhe që, vetëm përmes tij mund të jesh dikush.
Kryetari i partisë është zoti që e bën partinë si të dojë e kur të dojë. Ai bën listat e deputetëve, vendos për kryetarët e ardhshëm të bashkisë, për ministra e zëvendës të tyre, ai i sjell ligjet dhe i ndryshon. Pra, ai është i plotfuqishmi që vendos. Të tjerat janë formalitete të padobishme për vetë konceptin e tyre politik.
Kështu kanë bërë të gjithë, kështu bën edhe Rama.
A kanë socialistët njerëz të aftë, figura të njohura qeverisëse dhe të pakonsumuara nga mëkatet e shumta?
Sigurisht, po. Kanë më shumë se sa për një qeveri. Kanë financiarë dhe ekonomistë të aftë, njerëz të dinjitetshëm që nuk pranojnë bjerrjen e ndërgjegjes për hir të postit, kanë filozofë dhe dijetarë, kanë mjeshtër të politikës së jashtme dhe të kulturës, profesorë të shquar në fushën e arsimit, të cilët kanë hedhur atë rrënjë frymëzuese në radhët e socialistëve të moderuar.
Anashkalimi i tyre si një bjerrje kohe dhe vendosja në masë kaq të madhe të një rrjeti “asnjanës”, kur është fjala për të zbatuar një program politik, mendjelehtësia me të cilën tejkalohen strukturat, të cilat, sipas statutit duhet të vendosin, befasia e emërimeve dhe e riciklimit politik e administrativ, të gjitha së bashku e veç e veç, të çojnë drejt krijimit të një aureole, që mund të shembë statujën.
Asnjëherë lider i opozitës, edhe ata që ndjellin vdekjen e tij, edhe ata që e kërcënojnë se do e hedhin në Lanë, nuk kanë ngritur një ide për anashkalimin e forumit të partisë. Sepse, edhe më shpesh se vetë Rama, ata e bëjnë këtë. Mjafton të kujtosh kandidimet skandaloze të Bashës në zgjedhjet e qershorit të shkuar, ku listat pasi kalonin përmes familjes së tij, në tri a katër herë radhazi , dorëzoheshin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, çka e detyroi Genc Rulin të ulërinte për t’i nxjerrë jashtë me shkelma kunatin e gruan bashkëshortore të liderit opozitar.
Qeverisja, më parë se të jetë e Ramës, është e socialistëve.
Sa herë ai është mbështetur në këtë koncept, aq herë edhe i ka dalë për mbarë.
Sa herë e ka harruar atë ka pasur të papritura jo të dobishme në udhëtimin e tij politik.
Rama nuk e bëri, por e gjeti radhën e socialistëve në pushtet.
Nuk e risolli i vetëm. Problemi madhor është që, nëse një ditë ai bie, mos të bjerë me të edhe gjithë ajo që është ngritur mundimshëm që nga viti 1991.