E kundërta e luftës nuk është paqja, por arti
Drama “Refuge”, e cila të shtunën u dha premierë para publikut të teatrit “Baruch Performing Arts Center” në Nju Jork, tematikisht paraqet humanizmin dhe sakrificën e shqiptarëve gjatë LDB-së në ndihmë një familje hebreje, e mbështetur në kodin etik dhe jetësor të besës, ndërsa artistikisht ndërthurjen e mrekullueshme të tipareve qenësore të teatrit modern: lojës dhe tekstit. E luajtur para një publiku si ai i Nju Jorkut ajo, në aspektin e marrëdhënies politikë-kulturë, i bën thirrje ndërgjegjes së pushtetarëve kosovarë për nxitje dhe përkrahje të projekteve kulturore, sidomos të atyre që prezantojnë vlerat tona në botë
Pal Ndrecaj, Nju Jork
Tre aktorë kosovarë dhe tre aktorë amerikanë kanë sjellë para publikut njujorkas të teatrit “Baroch Performing Arts Center” dramën jetësore të një familje hebreje të mesit të shekullit XX dhe të një familje shqiptare në fund të atij shekulli, të inskenuar në bazë të tekstit të Mat Opatrny. Për publikun e këtij teatri këto i ka “zbërthyer” në mënyrë të shkëlqyeshme e të plotë, deri në shkallë përjetimi, regjia e mrekullueshme e Florent Mehmetit dhe Jessica Burrit, teksti i shkurtër, i qartë, i plotë e konciz i Mat Opatrny, loja e përkushtuar e aktorëve Ilire Vinca, Eshref Durmeshi, Daniela Markaj nga teatri “Oda” dhe Nancy McArthur, Becca Schneider dhe Perry Yaniv, aktorë amerikanë. Natyrisht këtë sukses e ka mundësuar edhe teksti në dy gjuhë.
Drama është e bazuar mbi një ngjarje të vërtetë. Një familje hebreje, burrë, grua dhe vajzë, që ndiqet nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, merret në mbrojtje nga një familje shqiptare që ka po aq anëtarë: burrë, grua dhe vajzë. Familja mikpritëse i mbron nga nazistët, duke u dhënë identitet të rremë shqiptar. Kontakti ndërmjet dy familjeve me kultura të ndryshme vë në pah para shikuesit vlerat e familjes mikpritëse, sakrificën e saj për mysafirët, befasinë që krijon e gjithë kjo te familja hebreje, duke e ngritur dramacitetin e lojës dhe përjetimin emocional në shkallën më të lartë. Në kushte të vështira politike, sociale e ekonomike, njerëz që mezi ushqejnë veten marrin përsipër barrën e rëndë të mbajtjes edhe të një familje tjetër, sepse ashtu e kërkon nevoja e familjes hebreje dhe ashtu e do kodi jetësor i familjes shqiptare. “Moskuptimet” mes dy familjeve shkaktohen për çfarëdo, duke prekur çështje që kanë të bëjnë me kulturat e tyre, me doket zakonore, stilin e jetës e norma të tjera socio-kulturore. Në dramë, disa herë, ndodhin momente të fuqishme komike, të cilat në njërën anë freskojnë atmosferën në sallë e në anën tjetër ndërtojnë aspektin kontrastik të tipareve socio-kulturore të mënyrave të jetesës te popuj të ndryshëm: familja hebreje, së cilës familja shqiptare ia lëshon të vetmen dhomë gjumi që kishte, kundërshton këtë, pos të tjerash, edhe me argumentin se nuk kanë para për të paguar. Mirëpo, çmimi është i paguar dhe faturën e kësaj e ka marrë përsipër vullnetarisht një kod i fuqishëm jetësor, vështirë i kuptueshëm për ta, kodi i mikpritjes dhe i besës: “Në rend të parë shtëpia e shqiptarit është e Zotit, në rend të dytë e mikut dhe në rend të tretë e jona”, ua shpallin mikpritësit. Mirëpo, kjo nuk mjafton për t’i sqaruar hebrenjtë sepse, diku në mes të kuptimit të drejtë të vlerave të këtij kodi, kishin hyrë paragjykimet e ndryshme që shpërfaqen në formën e frikës e mosbesimit:
“Po ju a jeni myslimanë?” pyet familja hebreje, duke shpënë ngjarjen në kulminacionin e saj. Dhe është përgjigjja e gruas shqiptare, Zojës, rolin e së cilës e luan Ilire Vinca, në të cilën përgjigje, në mënyrën më të mrekullueshme teksti, mimika, intonacioni i zërit etj. bashkëveprojnë harmonishëm në radhitjen e prioriteteve vlerore të shqiptarëve: “Kanë ardhë këtu romakët, na jemi ba katolikë, kanë ardhë otomanët, na jemi ba muslimanë… katolikë… muslimanë… ortodoksë…iiiihaaaaa”, por besa ka mbetë e pandryshueshme”.
Fate popujsh në kohë të ndryshme
Kohët nuk takohen, nuk puçen. Koha lëviz në një vijë drejtvizore dhe ka vetëm një kahje. Takohen e puçen fatet e njerëzve, në pikën më tragjike të tyre. Kështu, familja shqiptare, 50 vjet pasi kishte mbrojtur familjen hebreje, përjeton vetë fatin e saj. Tash janë shqiptarët ata që përjetojnë tmerrin e dhunës çnjerëzore, që rrjedh kanaleve të njëjtë të urrejtjes patologjike ndërmjet kombeve. Familja kosovare provon gjithë fatin e keq të luftës, dhunën e shfrenuar serbe me intencën e shfarosjes etnike, sikurse 50 vjet më parë familja hebreje. Kohët që nuk takohen në jetë, takohen aq bindshëm në skenën e një teatri që di të luajë me to, që di t’i afrojë në funksion të temës, të ideve e të mesazheve që do të transmetojë. Në pak minuta takohen dy periudha kohore, dy histori dhe dy figura që i përfaqësojnë ato, natyrisht, përmes pasojave që kanë shkaktuar dhe gjurmëve që kanë lënë në kujtesën e njerëzimit – figura e Hitlerit gjerman dhe e Millosheviqit serb.
Historia ia ka dhuruar njeriut vuajtjen, por edhe mundësinë për ta mposhtur atë, për ta ndërtuar shpresën e optimizmin dhe për ta ngritur godinën e lumturisë. Anëtarë të të dy familjeve, pas 6 dekadash takohen në Nju Jork. Mirëpo, tash, në brezat e tjerë të saj. Takimi është i mbështjell me vel mitik që, po ashtu, lidhet me kode shqiptare të jetës, amanetin: familja shqiptare ruan një gjësend të familjes hebreje me vlerë kujtimore, të cilin send nuk e kishte tjetërsuar koha dhe nuk e kishte mbështjellë harresa, për t’ua dorëzuar një ditë trashëgimtarëve të saj.
Si puçen dhe si ndahen mitikja me realen
Përderisa kodi i besës shqiptare, në shumë trajtime mbithekson karakterin mitik të saj, në dramën “Refuge” ajo shihet si një vlerë praktike, e lindur dhe e jetuar në kushtet historike reale si një nevojë e njeriut për ta manifestuar veten në përmasa humane, në kushtet e krizave dhe zvetënimit moral.
Bashkëpunimi i teatrit “Oda” me atë “Blessed unrest”, i cili tashmë ka historikun e vet që nis që nga viti 2005, ka paraqitur edhe një rast të bukur për afirmimin e vlerave humane e të sakrificës që populli ynë në saje të atij kodi i ka jetuar me fanatizëm. Rëndësia e afirmimit të këtyre vlerave në shkallë botërore dhe në një skenë të madhe si ajo e Nju Jorkut, nënkupton edhe afirmimin e një vlere tjetër, vlerën e prosperimit të kauzës sonë, e cila si angazhim politik me kosto të lartë mund të ndihmohet mirë nga angazhime kulturore, që kanë kosto më të vogël, siç është një trupë pasionante e një teatri ambicioz. Këtë e ndiejnë dhe e kuptojnë të gjithë, por më së miri e ndien nëse të jepet rasti të jesh në atë shfaqje, të ndërrosh pas saj dy fjalë me artdashësit e pasionuar amerikanë në hollin e teatrit, të vazhdosh në bisedë shoqërore kureshtjen e tyre për tematikën e dramës, për historinë e popullit e të kulturës, t’i dëgjosh opinionet e tyre rreth vlerave njerëzore e artistike e t’i përjetosh emocionet e takimeve me aktorët.
Kjo, ashtu sikurse e gjeti përmbushjen e saj tek shqiptarët e Nju Jorkut, që përmbanin afërsisht një të tretën e shikuesve, duhet ta gjejë edhe te strukturat kulturore të shtetit të Kosovës, për ta gëzuar përkrahjen e duhur. “E kundërta e luftës nuk është paqja, por arti, e tha në takimin me publikun autori i tekstit”. E zëri ynë ka shumë nevojë të jehojë përmes formave të shprehjes artistike; kemi nevojë të komunikojmë me botën dhe me Amerikën përmes teatrove.
Por, para së gjithash, teatrot duhen përkrahur.