E largojnë nga banesa gruan e Enver Hoxhës
Nexhmije Hoxha dhe Rustem Peçi janë njoftuar nga Drejtoria e Rrugëve të lenë banesat ku jetojnë pas 90-s.
Sipas familjarëve, tre punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar ARRSH janë paraqitur në dyert e tyre dhe i kanë urdhëruar të dalin prej aty brenda 5 ditëve.
Familjet e njohura ankohen se nuk kanë patur asnjë njoftim paraprak.
Gjatë komunikimit të urdhrit ka patur tension mes të moshuarve dhe punonjësve të ARRSH.
E shoqja e Rustem Peçit është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Nexhmije Hoxha, e veja e Enver Hoxhës jeton në banesën e përshtatur që pas dëbimit nga Blloku,
Rustem Peçi, gjeneral në pension është djali i heroit të LANÇ, Shefqet Peçi dhe kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës jeton po aty.
Hoxha 97 vjeç jeton vetëm dhe merr vizita të përditshme nga të afërmit kurse Peçi 83 vjeç jeton me familjen.
Godina ku këto dy familje jetojnë është një ish-Pulari në zonën e Laprakës, e cila është përshtatur si banesë pas 90-s.
Avokati Idajet Beqiri thotë se janë shkelur ligjet.
“Unaza rrugore është një vepër vërtetë e rëndësishme. Por ndërtimi i saj nuk është mister dhe ilegal! Projekti i saj duhet t’u bëhet i ditur atyre që u preken pasuritë e paluajtshme, posaçërisht shtëpitë e banimit prej ndërtimit të saj. Organet kompetente që e bëjnë këtë investim diskutojnë dhe i njoftojnë me kohë ata që preken, u japin vendimin përkatës me të drejtë ankimi në Gjykatën Administrative, u japin ofertën përkatëse të dëmshpërblimit për shpronësimin që do të bëjnë, u ofrojnë zgjidhjen e problemit të strehimit, duke u dhënë së paku aq sipërfaqe banimi, sa duan t’ju marrin për ndërtimin e rrugës. Kjo lloj transparence dhe logjike minimale juridike nuk po funksionon te këto dy familje për shkak të një paragjykimi ekstrem” – thotë Beqiri për DITA.
Në një shkrim botuar në numrin e sotëm ai shton se ka dyshime që projekti është devijuar qëllimisht.
“Projekti i Unazës nuk e prekte këtë ndërtesë. Ishte larg saj vija ku do të bëhej ky ndërtim. Mirëpo një “birbollan” pasardhës kolaboracionisto – fashisti, në mënyrë abuziviste, në shenjë të një hakmarrje të pastër e devijuan me një shtrëmbësi vije këtë projekt për të prekur vetëm gjysmën e kësaj ndërtese, e cila nuk mund të qëndroj më në këmbë pas këtij “kafshimi” të pritshëm” – thotë avokati i njohur.
Marre me shkurtime nga Gazeta “Dita”