E mërkura ditë zie shtetërore në Kosovë për viktimat e aksidentit tragjik në Bullgari
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të legjislacionit në fuqi, ka marrë vendim të mërkurën, më 24 nëntor 2021, të shpallet ditë zie shtetërore në shenjë solidarizimi dhe nderimi të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese bashkëkombas tanë, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Bullgari.
Ndërkaq Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur të martën tri ditë zie kombëtare pas aksidentit me autobus në Bullgari, që la të vdekur të paktën 46 persona.
Zyrtarët thanë se aksidenti ndodhi në një autostradë në perëndim të Bullgarisë, ku një autobus me 53 pasagjerë, shumica nga Maqedonia e Veriut, u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.
Në mesin e viktimave ka edhe të paktën 12 fëmijë. Një zyrtar nga spitali në Sofje ka thënë se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi. Gjendja e tyre është stabile.
Sipas zyrtarëve maqedonas, shumica e viktimave ishin nga Shkupi dhe ishin duke u kthyer nga Stambolli i Turqisë, ku kishin qëndruar në një vizitë treditore.