E mitura në Gjakovë tenton t’i japë fund jetës, ish i dashuri ia publikoi fotot dhe videot intime në rrjete sociale
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku një vajzë e mitur dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së saj, raporton Sinjali.
Burimet brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, kanë bërë me dije se 17-vjeçarja është dërguar atje në gjendje të rëndë, pasi dyshohej se ka konsumuar një sasi të tepërt të barnave.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar dhe ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Sinjali mëson se motivi që dyshohet se shtyu të miturën të bëjë këtë veprim, është publikimi i disa fotografive dhe videove të saj intime nga ish i dashuri i saj.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Tentim vetëvrasje’ dhe është iniciuar rasti edhe për veprën ‘Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara’.