E njoh Serbinë më mirë se ambasadori Grenell
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar “vaksinë” rolin e Richard Grenellit në dialogun Kosovë – Serbi. Sipas tij, raportet me ShBA-në apo me Bashkimin Evropian nuk mund të jenë vetëm, ose servilizëm, ose armiqësi. “Unë nuk i përkas atyre që me ShBA-në apo me BE-në dhe faktorë të tjerë perëndimorë thonë se mund të kemi vetëm dy raportesh ose servilizëm ose armiqësi. Janë të mundur partneriteti dhe aleanca, të cilët janë të vetmet rrugë të duhura përpara. Nuk ndaj të njëjtin mendim me të gjithë zyrtarët amerikanë që merren me Ballkanin. Nuk jam në detyrë që ta fitoj dashurinë e të tjerëve, por t’i mbroj interesat e popullit të Kosovës”, tha Kurti.
Sa iu përket marrëdhënieve me ambasadorin Richard Grenell, kryeministri në detyrë i Kosovës dha këtë përgjigje: “Grenelli e ka pasur rolin e një vaksine. Pse? Fillimisht tha se Kosova duhet ta heqë taksën 100 % ndaj mallrave ndaj Serbisë dhe kjo e fundit ta ndalë fushatën ndaj mosnjohjeve ndaj Kosovës. Më pas thoshte vetëm hiqeni taksën. Më pas e hoqëm taksën 100 %, se ashtu e kishim programin dhe e zëvendësuam me recipriotitetin me Serbinë dhe na tha hiqeni edhe këtë. Unë këtë nuk mund ta bëj. Mund t’i jap ShBA-së çdo koncension kur e duan nga Kosova, por jo për Serbinë. E kuptoj Serbinë më mirë se ambasadori Grenell. E njoh Serbinë më mirë se ambasadori Grenell”.