E pakuptueshme, mjegulla që kjo qeveri po krijon në raport me energjinë elektrike
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria duhet të publikojë të gjitha shpenzimet që janë bërë në sektorin energjetik që nga 1 tetori 2021.
“Me këtë nuk nënkuptojmë vetëm ndarjet buxhetore, por tërë energjinë që është blerë nga KESCO/KOSTT (vlera e devijimeve) apo çfarëdo mekanizmi që ka blerë rrymë për Kosovë, si dhe të gjitha kontratat që janë bërë për kthime”.
“Po ashtu është me rëndësi të posaçme të publikohen emrat e kompanive nga të cilat është blerë rryma dhe metodologjia e kontraktimeve”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se është e pakuptueshme mjegulla që kjo qeveri po krijon në raport me rrymën elektrike dhe transaksionet financiare rreth saj.
“E qartë që me bojlerët, filterat dhe lopatat le të merren ata që duan, por qytetarit të Kosovës kjo nuk i intereson. Duam llogaridhënie për paranë publike”, ka shkruar Haradinaj.