E paqartë mbetet e ardhmja e Rexhës

19 korrik 2021 | 19:46

Një prej lojtarëve më të mirë në vitet e fundit në futbollin e Kosovës, Kastriot Rexha, ende nuk ka vendosur se ku do të luajë në kampionatin e ardhshëm.

E ardhmja e sulmuesit Kastriot Rexha vazhdon të mbetet e paqartë. Në fakt, ish-futbollistit më të mirë i ka përfunduar kontrata me skuadrën e Dritës dhe ende nuk dihet se a do ta djersijë Rexha fanellën e skuadrës gjilanase. I kontaktuar nga “Epoka e re”, sulmuesi Prishtina ka thënë se brenda këtij muaji mund do ta marrë vendimin për të ardhmen e tij. “Ende asgjë nuk kam vendosur, kontrata më ka përfunduar me Dritën. Deri në fund të muajit do të vendos se ku do të luaj në të ardhmen”, ka thënë Rexha.

Ish-sulmuesi i shumë skuadrave në Kosovë ishte lënduar në edicionin e kaluar, që ndikoi edhe në rezultatet e skuadrës së Dritës, e cila nuk arriti ta mbrojë titullin e kampiones në Superligë. Rexha tash ka filluar ta marrë veten dhe lëndimin e pësuar është duke e lënë pas shpinës. “Po ndihem mirë dhe lëndimin po e tejkaloj dalëngadalë. Lëndimi i pësuar nuk ka qenë aspak i lehtë, por jam duke e marrë veten. Kam filluar vrapimin dhe nëse gjithçka shkon sikurse deri tash, do të rikthehem shumë shpejt”, ka shtuar ai.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anglia ka hequr të hënën pothuajse të gjitha kufizimet për…