E premtja e madhe e Ferizajt, Bylbyl Sokoli nuk e pret

31 korrik 2019 | 11:04

Dita e premte më 2 gusht pritet të jetë e madhe për klubin e Ferizajt pasi do të përmbyllet çështja e privatizimit të klubit, por këtë ditë nuk e ka pritur trajneri Bylbyl Sokoli, i cili ka vendosur ta braktisë klubin që e shpëtoi nga rënia në Ligën e Parë.

KF Ferizaj me shumë bujë bëri publik lajmin për privatizim më 7 korrik, madje kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, u shpreh i kënaqur që klubi po privatizohet dhe se tani është një mundësi më e madhe që Ferizaj të luajë në Evropë, por problemet duken të paeliminueshme për këtë klub që vitet e fundit luftoi për mbijetesë e herë për inkuadrim në Superligë.

Ferizaj transferoi shumë lojtarë me emër në futbollin e Kosovës si Taulant Dajaku, Përparim Livoreka, Fisnik Papuqi, Fatih Karahoda, Ergon Hyseni, Dardan Jashari dhe Filonit Shaqiri, por asnjëri prej tyre ende nuk është prezantuar nga klubi në fjalë. Gazeta ka kontaktuar njërin nga futbollistët që është duke stërvitur me Ferizajn, por i njëjti ende nuk është i sigurt se a do të jetë pjesë e kësaj skuadre. “Kam arritur marrëveshje me Ferizaj, por ende nuk kemi nënshkruar kontratë. Në Kosovë çdo gjë është e mundur dhe ekziston mundësia që mos të jem pjesë e këtij klubi në fillim të kampionatit”, ka thënë futbollisti që nuk deshi që emri t’i përmendet në gazetë.

Ndërsa Klubi i Ferizajt në faqen zyrtare në “Facebook” ka njoftuar se të premten do të përmbyllet procesi i privatizimit dhe do të nënshkruhen kontratat me futbollistët. “Ditën e premte do të jenë në Ferizaj aksionarët anglezë, ku pritet të finalizohen të gjitha çështjet e hapura për ta përmbyllur procesin e privatizimit, me ç’rast do të kemi edhe nënshkrimet zyrtare të kontratave me futbollistët, të cilët do të jenë pjesë ekipit tonë. Stërvitjet po vazhdojnë me intensitet dhe pritet që pas ditës së premte do të merret edhe vendimi për shkuarje në turneun përgatitor jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e KF Ferizaj.

Mirëpo të premten e 2 gushtit nuk do ta presë trajneri Bylbyl Sokoli, i cili në orët e vona të ditës së hënë konfirmoi largimin nga Ferizaj. “Profa” ishte më meritori për arritjen e mbetjes në IPKO Superligë, por duket se ai nuk ka gjetur gjuhë të përbashkët me drejtuesit e klubit. “Nuk do të jem më pjesë e KF Ferizaj. Një falënderim për ‘Ujqit’, për simpatizantët, qytetarët dhe të gjithë ata që e përkrahin KF Ferizaj, ngado që vijnë, brenda dhe jashtë Kosovës. Një falënderim për Bordin (Kryesinë) e KF Ferizaj në krye me Mustafë Graincan. Falënderim për drejtorin Nadir Haxhimusa, shtabin teknik, ndihmëstrajnerët, fizioterapeutët si dhe sekretarin e klubit. Falënderim futbollistëve të KF Ferizaj për angazhimin e tyre dhe arritjen e synimit për qëndrim në Superligën e Kosovës. Falënderim për një bashkëpunim të derisotëm, duke i dëshiruar suksese të gjithëmbarshme e suksese të reja Ferizajt”, ka thënë Bylbyl Sokoli.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Nuhi Bytyqi është intervistuar nga Dhomat e Specializuara të…