E rëndë në Maqedoninë e Veriut | Shqiptari aplikon për forcat elitare, e rrahin dhe e çojnë në psikiatri! Vendin ia zë një maqedonas
Kandidati shqiptar për t’u bërë pjesë e Batalionit të forcave speciale “Ujqit” në ARM të Maqedonisë së Veriut është rrahur brutalisht nga kolegët e tij, raporton Alsat.
E gjithë kjo ka ndodhur në kuadër të kursit seleksionues që ditët e fundit po zhvillohet në ARM, përkatësisht në Shtabin e Përgjithshëm.
Identiteti i kapitenit shqiptar, i njohur për redaksinë e Alsat flet për një person me përgatitje të larta profesionale, i dëshmuar në shumë trajnime brenda dhe jashtë vendit dhe i sistemuar në ARM falë diplomimit me sukses në Akademinë Ushtarake.
Burimet bëjnë të ditur se kapiteni shqiptar është dërguar në mënyrë të habitshme nga Krivollaki në Spitalin Psikiatrik në Bardovcë.
Qëllimi sipas të njëjtave burime, por që duhet konfirmuar nga hetimi përkatës, ka qenë që ai të paraqitet si person me të meta mendore, që do t’i kushtonte rëndë në karrierën e tij profesionale. Megjithëse nga spitali në fjalë mësohet se i është konstatuar gjendje psikike e stabilizuar dhe pa të meta, raport mjeko-ligjor i cili mund të rrënojë skenarin e “Ujqërve”.
Personi përgjegjës që është dashur të evidentojë rastin, e që për ters ka qëlluar të jetë shqiptar brenda natës është zëvendësuar me maqedonas. Kështu të paktën thonë burimet e Alsat të cilat Shtabi i Përgjithshëm nën kompetencë të të cilit veprojnë “Ujqit” nuk i kanë konfirmuar apo përgënjeshtruar. Aparati celular nuk i është dhënë, me qëllim që kapiteni të shmangë kontaktet deri sa gjendja të vihet nën kontroll, por më pas është tentuar që ai t’i kthehet jashtë procedurave brenda ushtarake, përkatësisht jashtë protokolleve institucionale.
Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte asnjë koment për rastin. Jo zyrtarisht mësohet se në procedurë është formimi i komisionit disiplinor i cili duhet të konstatojë veprimet e të paktën gjashtë pjesëtarëve të njësisë elitare “Ujqit”. Gjatë ditës kapiteni shqiptar është transferuar në spitalin ushtarak në Shkup.
“Ujqit” janë njësia e paprekshme për etnitë e tjera në ushtri e posaçërisht për shqiptarët. Njësiti që ekziston nga viti 1994 është përbetuar se në radhët e tyre nuk guxon të ketë shqiptar, por në seleksionimin e fundit numri dhe rezultatet e kandidatëve shqiptarë kanë qenë dukshëm më të favorshëm në krahasim më rezultat e kandidatëve të tjerë. Motivi për sulmin brutal ndaj kapitenit shqiptar nuk përjashtohet të jetë frikësimi edhe i kandidatëve të tjerë që të tërhiqen nga gara.