E rëndë, zvogëloi stomakun për t’u dobësuar, 20-vjeçarja vdes pak ditë pas operacionit (Video)
Një kirurg turk do të përballet me drejtësinë, pasi ka kryer operacionin e bypass-it të stomakut ndaj një 20-vjeçareje britanike, e cila vdiq disa ditë më vonë.
20-vjeçarja Morgan Ribeiro, me kursimet e bëra nga prindërit e saj, kishte arritur të mblidhte shumën prej 2500 paund, për të udhëtuar drejt Turqisë dhe për t’iu nënshtruar operacionit që do ta ndihmonte të humbte peshë.
Mjeku turk Serkan Bagil, e kreu operacionin më 5 janar.
Siç tha familja e saj, vajza fatkeqe zgjodhi Turqinë, sepse ishte një zgjidhje më ekonomike në krahasim me Britaninë, ku i duhej të priste gjatë dhe gjithashtu të paguante 10 mijë paund.
Operacioni u krye dhe Morgan mori fluturimin e kthimit. Megjithatë, brenda në aeroplan ajo u ndje shumë sëmurë.
Gjendja e saj ishte aq e keqe sa që fluturimi i Wizz Air, duhej të bënte një ulje urgjente në Beograd, ku kirurgët i hoqën më shumë se 10 cm të zorrëve të vogla në përpjekje për ta shpëtuar.
Mjekët i thanë familjes se gjatë operacionit i ishte prerë zorra e hollë. Vajza pësoi një atak në zemër, ra në koma dhe vdiq katër ditë më vonë nga shoku septik.
Kirurgu turk, i cili thuhet se ka praktikuar për më shumë se dy dekada, pohoi se kishte operuar me sukses dy pacientë të tjerë britanikë dhe se ata ishin shëruar mirë.
“Ajo vdiq nga një emboli gjatë fluturimit, jo nga komplikimet nga operacioni. Jam i trishtuar, shumë i trishtuar, ajo ishte aq e re sa do të doja që kjo të mos kishte ndodhur kurrë, është hera e parë në karrierën time”, tha Bagil për Mirror.
E ëma e vajzës tha e tronditur: “Nuk është vetëm ‘ka pasur emboli’, i ishte prerë zorra e hollë dhe besoj se nuk e kishte pikasur. Këtë na e kanë thënë kirurgët serbë”.
Biografia online e Bagil, thotë se ai ka kryer më shumë se 8000 procedura mjekësore.
Në profile të tjera online, thuhet se ai u diplomua në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Çukurova në Turqi, në vitin 1996, ku përfundoi rezidencën në kirurgjinë e përgjithshme midis viteve 2003 dhe 2010.
Ai rregullisht publikon video në llogarinë e tij në “Instagram”, të pacientëve që ndajnë gëzimin e tyre për operimin.
Bagil shkruan se në klinikë “ne i kryejmë të gjitha operacionet në një ambient krejtësisht steril dhe spitalor”.
Ribeiro pagoi 2,500 £ për të kryer operacionin, pas vitesh të tëra që i kërkohej të humbiste peshë.
Në një video të fundit që ajo ngarkoi në TikTok, përpara se të fluturonte për operacion, ajo shprehu emocionin e saj:
“Postimi im i fundit përpara WLS (operacioni për humbje peshe)… shihemi në anën tjetër”.
Vlen të theksohet se një operacion i ngjashëm në Britaninë e Madhe kushton rreth 10,000 paund dhe për këtë arsye shumë preferojnë Turqinë, e cila është shumë ekonomike.
Por qeveria britanike po jep alarmin, duke thënë se di për më shumë se 25 shtetas britanikë që kanë vdekur në Turqi që nga janari 2019 deri më sot nga operacionet.