
E shkarkoi Evetar Zeqirin, KOSTT emëron Shaban Nezirin u.d.Kryeshef Ekzekutiv
Bordi i Drejtorëve të KOSTT sh.a ka emëruar Shaban Nezirin u.d.Kryeshef Ekzekutiv, pas shkarkimit të kryeshefit Evetar Zeqiri, raporton Gazeta Blic.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media.
Njoftimi i plotë:
Ju njoftojmë që Bordi i Drejtorëve të KOSTT sh.a në takimin e mbajtur me 24 Prill 2024, në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe Statutin e kompanisë, ka marrë vendim që të ndërpresë marrëdhënien e punës të Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT z.Evetar Zeqiri.
Me këtë rast, Bordi ka emëruar z. Shaban Neziri, zëvendës Kryeshef Ekzekutiv, si ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT sh.a, deri në marrjen e një vendimi tjetër.
Shaban Neziri, me profesion Inxhinier i Elektroteknikës, është pjesë e KOSTT që nga themelimi i saj dhe gëzon një përvojë të gjatë profesionale brenda kompanisë.
KOSTT mbetet i përkushtuar ndaj garantimit të sigurisë në operimin e Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës.