E shkarkoi konsullin në ShBA, ministrja Gërvalla: Nepotizmi është shfuqizuar
Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, është deklaruar pasi Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës që drejtohet nga ajo, e ka liruar nga detyra Lulzim Krasniqin, Konsullin e Përgjithshëm në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ministrja Gërvalla tha se kanë premtuar meritokraci dhe profesionalizimin si kriter për punësim dhe asgjë më shumë e as më pak.
Ajo tha se për këtë flet edhe konfirmimi i vendimeve tona nga ana e instancave të ankimimit.
“Prandaj, punësimet ilegale, të jashtëligjshme në këtë ministri, të bëra në të kaluarën, janë shfuqizuar. Nëse ndërkohë do të konstatohen të tjera, të cilat ende nuk kanë dalë në pah, edhe ato do të shfuqizohen. Nuk ka gënjeshtër, përrallë, shpikje, presion apo kërcënim që e ndal reformën e domosdoshme institucionale. Nepotizmi dhe punësimet e paligjshme e kanë dëmtuar rëndë diplomacinë tonë”, shkroi Gërvalla në “Facebook”.
“Prandaj: Drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe meritokraci në punësim, vlerësim të punës, ngritje në pozitë, dërgim jashtë vendit. Kjo është formula e një funksionimi më të mirë të MPJD-së dhe e një përfaqësimi më dinjitoz të Republikës së Kosovës jashtë vendit”.
Megjithatë, Krasniqi ka thënë se tashmë në Nju Jork s’do të ketë kush të ofrojë shërbime konsullore në prag të pushimeve të verës kur kërkesat për dokumentacione do të arrijnë kulmin.
Krasniqi përmend edhe punën e flamurit të UÇK-së që e kishte mbajtur në Konsullatën e Përgjithshme në Nju Jork, duke thënë se ka qenë ministrja Gërvalla që në muajin prill e kishte kërkuar largimin e flamurit nga Konsullata.
“E, largimi i flamurit të UÇK-së, të cilin, ti, zonja Gërvalla, atë ditë prilli nuk ta zinte goja ta quaje flamur i UÇK-së, por e quaje “flamur me simbole”, është një turp i madh dhe ka për qëllim rrënimin e institucioneve, të cilën gjë me sukses ke arritur ta bësh në MPJD”, shkruan në letrën e tij Krasniqi.