E shpallën Driton Selmanajn person “non grata”, Mustafa i quan banditeske veprimet e LV-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, është deklaruar lidhur me paralajmërimet e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do të lejojnë mbajtjen e seancës në Kuvendin e Kosovës në rast se pjesëmarrës do të jetë zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj.
Këto paralajmërime të LV-së, Mustafa i ka cilësuar si “sjellje jodemokratike dhe banditezke”. Ai ka thënë se Vetëvendosjes i nevojiten edhe “bishtat e sakicave të Shpejtim Bulliqit”.
“Vetëgjyqësia në sallën e kuvendit, qoftë e individëve apo e një partie politike është e papranueshme dhe ligjërisht e patolerueshme. Një sjellje e tillë është jodemokratike, është banditeske. Iu nevojiten vetëm edhe bishtat e sakicave te Shpejtim Bulliqit”, ka thënë Mustafa për “Periskopin”.
Mustafa ka folur edhe për deputeten e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci e ku ka thënë se ajo e ka respektin e plotë të tij.
“Sa i përket deputetes Saranda Bogujevci, masakrimit të saj dhe të familjes Bogujevci nga serbët, ajo ka respektin e plotë timin, të Driton Selmanajt dhe të LDK-së. Të gjitha tjerat janë përpjekje për manipulime me opinionin”, ka thënë Mustafa.