E solli njohjen e Togos, Hoxhaj: Qeveria Kurti përgjegjëse për çnjohjen

16 janar 2023 | 23:51

Togoja ka tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës. E turpshme kjo për një shtet, por ç’ti bësh! Ironia shtohet kur kuptohet fakti se pikërisht ai që nënshkroi njohjen, nënshkroi edhe çnjohjen.

Bëhet fjalë për Robert Dussey, aktualisht ministër i punëve të jashtme të vendit afrikan. Ai, të hënën në një konferencë për media bashkë me Ivica Daçiq, tha se është tërhequr njohja e Kosovës dhe se kjo është përfundimtare.

E dështimin për këtë, sipas Enver Hoxhajt, njeriu që nënshkroi vënien e marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet, ka adresë: Qeveria Kurti.

Në një prononcim për Gazetën Nacionale, Hoxhaj deklaroi se është marrë personalisht me njohjen e Togos, duke thënë se është angazhuar pafundësisht që të arrihet ajo.

“Personalisht jam marrë me rastin e njohjes së Togos, e kam vizituar Togon dhe kur isha ministër i jashtëm homologu nga Togo ka vizituar Kosovën dhe ka nënshkruar marrëdhënie diplomatike. Qeveria Kurti është përgjegjëse për këtë dështim të radhës!”, tha fillimisht ai.

Veç kësaj, ish-kryediplomati pohoi se ky lëshim ndërkombëtar është një tjetër problem që po i shfaqet vendit tonë, pas dorëzimit të sovranitetit të brendshëm në veri dhe rrudhjes së sovranitetit të jashtëm.

“Nën qeverisjen e Albin Kurtit, Kosova po udhëhiqet nga dështimi në dështim. Lëre që s’ka arritur të marrë asnjë njohje të vetme për Kosovën, por, përkundrazi, Serbia është duke e goditë kudo Kosovën ndërkombëtarisht. Dorëzimit të sovranitetit të brendshëm në veri dhe rrudhjes së sovranitetit të jashtëm, i shtohet edhe një listë pretendimesh për çnjohje”.

Kujtojmë, për këtë çnjohje, deri më tani nuk ka folur asnjë nga krerët shtetërorë, përfshirë këtu drejtuesit e MPJD-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grup ukrainas mbërriti sot në bazën stërvitore Fort Still…