E thotë Kushtetuta: Kufizimi i lëvizjes mund të bëhet me ligj të Kuvendit
Me 76 faqe aktgjykim, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se përse ka konstatuar se vendimi i qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, për kufizim të lëvizjes, është i jashtëligjshëm.
Aktgjykimi i plotë është publikuar ditën e hënë.
Janë disa çështje kyçe që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar të rëndësishme aq sa për ta bërë këtë vendim të jashtëligjshëm, raporton KOHA.
Presidenti Hashim Thaçi në kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të kryeministrit Kurti ka pretenduar se vendimi është në kundërshtim me disa nene të Kushtetutës.
Sipas presidentit, vendimi i qeverisë është në kundërshtim me nenin 56 të Kushtetutës.
Neni 56 flet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. “Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna”, thuhet në paragrafin e parë të këtij neni.
Thaçi pretendonte se kufizimi i lëvizjeve të qytetarëve nuk mund të bëhej pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por Gjykata Kushtetuese e ka interpretuar ndryshe. “E vërteta është se, siç do të shpjegohet më tutje, kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut mund të bëhet ‘vetëm me ligj’ të Kuvendit, por kjo nuk do të thotë se kufizimi i të drejtave mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme. Kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, për aq sa është në pajtim me Kushtetutën, mund të bëhet edhe pa shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme”, thuhet në këtë aktgjykim.