E vrau me tetë plumba dhe ia hodhi trupin në lumë, istogasi dënohet me 17 vjet burgim
Kamber Bulleshkaj është dënuar me 17 vite burgim nga Gjykata Themelore në Pejë, pasi është shpallur fajtor për vrasjen e A.D. me tetë plumba, në shtator të vitit 2018 në fshatin Istog i Poshtëm.
Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, dënimi me burgim do të ekzekutohet pas 15 ditësh kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Gjykatësja Kuka-Mekaj ka bërë me dije se Bulleshkajt i është vazhduar masa e paraburgimit, kurse pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.
Sipas aktakuzës së ngritur më 10 tetor 2019, Kamber Bulleshkaj më 12 shtator 2018, rreth orës 20:25 deri më 21:15, në shtëpinë e tij në fshatin Istog i Poshtëm, pikërisht në sallonin e shtëpisë së tij, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit A.D, me dashje e ka privuar nga jeta këtë të fundit.
Sipas aktakuzës, A.D kishte shkuar me veturën e tipit “BMW 120” në shtëpinë e të pandehurit, me qëllim që nga i njëjti të kërkonte një armë automatike-kallashnikov, e cila synohej të përdorej në një gazmend familjar dhe që me të, të festonin në fejesën e kushëririt të tyre.
Në aktakuzë thuhet se pasi tani i ndjeri shkon në shtëpinë e të pandehurit, pas mosmarrëveshjeve mes tyre, i pandehuri nga arma automatike e llojit të panjohur shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerit, duke e goditur me tetë predha në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e plagëve vdes në vendin e ngjarjes.
Ndër të tjera në aktakuzë thuhet Bulleshkaj me veturën e tani të ndjerit, e merr trupin e tij e dërgon tek lumi i Shushicës, ku e hedhë atë nga ura, e pastaj me veturë vazhdon në drejtim të Mitrovicës, ku në lagjen “Bair” e braktisë veturën, derisa kufoma të gjendet rreth orës 15:05, në vendin e lartcekur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me këtë, ai është thënë se ka kryer veprën penale të “Vrasjes”, nga neni 178 i Kodit Penal, i cili parasheh dënimin me jo më pak se pesë vjet burgim.