E zëvendëson Borrellin në BE, Kallas dorëhiqet nga pozita e kryeministres së Estonisë
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas ka dhënë dorëheqjen si udhëheqëse e vendit baltik për t’u bërë shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në fund të këtij viti.
Kallas, kryeministrja e parë femër e Estonisë, ia ka dorëzuar dorëheqjen e saj zyrtare presidentit Alar Karis gjatë një takimi të shkurtër në Pallatin Presidencial në kryeqytet, Talin, të hënën.
Estonia nën Kallas, 47 vjeç, ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës pas pushtimit të plotë rus në shkurt 2022. Ajo zëvendëson Josep Borrell të Spanjës, i cili ka shërbyer si shefi i politikës së jashtme të BE-së që nga viti 2019, raporton Associated Press.
Duke përmbledhur 3 vjet e gjysmë të Kallasit në krye të kombit prej 1.3 milion banorësh, Karis ka thënë në një deklaratë se “ka qenë një kohë plot kriza, momente historike (siç është) koronavirusi, recesioni ekonomik dhe lufta në Evropë, kur Rusia shkatërroi pamjen tonë të mëparshme të sigurisë me agresionin e saj në Ukrainë”.
Lëvizja e kryeministres shkaktoi automatikisht dorëheqjen e kabinetit tre-partiak të Kallas, i përbërë nga Partia e Reformës e qendrës së djathtë, Partia Socialdemokrate dhe partia liberale Estonia 200. Ajo do të vazhdojë si një qeveri e përkohshme derisa të betohet kabineti i ri, më shumë gjasa në fund të korrikut ose në fillim të gushtit.