EBU-ja i shkruan Konjufcës dhe Kurtit, kërkon rritjen e buxhetit për RTK-në
Duke konstatuar se buxheti i ndarë për RTK-në nga ana e Qeverisë së Kosovës për vitin 2023 është i pamjaftueshëm për mirëfunksionimin e transmetuesit publik, drejtori i përgjithshëm i Unionit të Transmetuesve Publikë Evropianë (EBU), Noel Curran, u ka dërguar nga një letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministrit Albin Kurti.
Pasi ka rikujtuar se me 8.9 milionë euro buxhet vjetor për RTK-në janë të pamjaftueshme për funksionimin, si edhe realizimin e detyrave, sipas ligjit për Transmetuesin publik, Currani i kërkon kryetarit të Kuvendit Konjufca dhe kryeministrit Kurti rritjen e buxhetit.
Duke dhënë edhe shifra konkrete, Currani ka deklaruar se buxheti aktual i RTK-së është më i ulëti, nëse krahasohet me transmetuesit publikë të vendeve në rajon.
Letrat (e njëjta) e Noel Curranit, drejtor gjeneral i EBU-së, drejtuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrit Albin Kurti:
I nderuar kryeministër,
Në emër të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), aleancës kryesore profesionale të mediave të shërbimit publik, ju shkruaj për të kërkuar mbështetjen tuaj në sigurimin e financimit të duhur për Transmetuesin Publik të Kosovës, RTK.
Siç e dini, RTK-ja ka hyrë në procese të guximshme reformuese nën menaxhmentin e ri dhe me mbështetjen e Bordit . Po kryen reforma strukturore gjithëpërfshirëse dhe organizative për transformim dixhital dhe për të siguruar efikasitet që përfshinë mosvazhdimin e kontratave për rreth 25 për qind të stafit të saj. Transmetuesi publik luan një rol vendimtar në luftën kundër dezinformimit në këtë gjendje të ngarkuar politike dhe të ndjeshme, duke ofruar informacione kredibile e të besueshme për qytetarët dhe duke promovuar dialogun e mirëkuptimin.
Misioni i RTK-së për të informuar, edukuar dhe argëtuar të gjitha segmentet e shoqërisë në mënyrën më të lartë të mundshme profesionale, kërkon financim të përshtatshëm, për të mundësuar marrjen e të drejtave sportive, vënien në punë të prodhimeve të pavarura, prodhimin e programeve të cilësisë së lartë, shfaqjeve, dramave, dokumentarëve, programeve për fëmijë, programeve për minoritetet dhe personat me aftësi të kufizuara ashtu si edhe kanali i dytë, në gjuhën serbe.
RTK-ja ka nevojë për financim të duhur për të përmbushur këtë rol të rëndësishëm në shoqëri. Sipas nenit 21 paragrafi 4 të Ligjit për RTK-në, transmetuesi publik duhet të marrë 0.7 për qind nga buxheti vjetor, i cili është rreth 16 milionë euro. Aktualisht Transmetuesi Publik është i detyruar të operojë me vetëm 8.9 milionë euro, të cilat deri tani nuk janë të mjaftueshme për funksionimin e denjë të një institucioni demokratik.
Raporti i Inteligjencës Mediatike të EBU-së mbi financimin e mediave të shërbimit publik, nga marsi 2022 paraqet se financimi mesatar për këto media për kokë banori në Evropë është 45 euro. Financimi i Transmetuesve Publik në Kosovë është 4.73 euro për kokë banori, që është dhjetë herë më pak se mesatarja në Evropë dhe pesë herë më pak se financimi i këtyre mediave për kokë banori në Mal të Zi (24.08 euro), më pak se në Shqipëri (6.77 euro) dhe në Bosnje dhe Hercegovinë (6.42 euro).
Rekomandimi i Këshillit të Evropës CM/Rec (2012)1 mbi qeverisjen e mediave të shërbimit publik kërkon që shtetet të sigurojnë financimin e duhur dhe të sigurt të Mediave Publike. Buxheti aktual i RTK-së rrezikon seriozisht funksionimin e RTK-së, institucion ky që është i rëndësishëm për shoqërinë dhe demokracinë. Shpresoj që Kuvendi i Kosovës nën udhëheqjen tuaj do të mbështesë financimin adekuat të RTK-së dhe do t’i mundësojë Transmetuesit Publik të përmbushë misionin e tij në shoqëri.
Kjo për më tepër do të jetë një hap i guximshëm përpara në negociata të Kosovës për anëtarësim në BE.
Noel Curran, drejtor gjeneral