‘EC Ma Ndryshe’ e quan të gabuar shenjëzimin e rrugëve për orientimin e vizitorëve në Prizren
Komuna e Prizrenit në fillim të kësaj jave, në uebfaqen e saj zyrtare ka njoftuar se me qëllim të promovimit të trashëgimisë kulturore dhe orientimit më të lehtë të vizitorëve të huaj, janë vendosur tabelat informuese që tregojnë drejtimin dhe largësinë e monumenteve kulturore apo institucioneve me rëndësi.
Projekti në fjalë është realizuar nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Rural, ndërsa tabelat janë vendosur në udhëkryqet kryesore të qytetit.
Organizata “EC Ma Ndryshe” ka konsideruar se ky hap edhe pse shumë i vonshëm për Komunën e Prizrenit është një investim i duhur dhe i mirëseardhur.
Megjithatë, kjo organizatë ka vërejtur se ky projekt ka një sërë gabimesh që duhet të adresohen. “Komunat e ndryshme të Kosovës gjatë viteve të fundit në raste të ndryshme kanë vendosur shenja për nevojat e tyre të promovimit dhe orientimit të vizitorëve. Fatkeqësisht, çështja e rregullimit të shenjëzimit të lokaliteteve të trashëgimisë kulturore nuk ka qenë e rregulluar deri vonë nga niveli qendror. Më 20 shtator të këtij viti është përmbyllur procesi i konsultimit publik për Draft -Udhëzimin Administrativ Nr.XX/2018 për specifikat e Shënjimit të Trashëgimisë Kulturore dhe Vendeve Turistike të udhëhequr nga MKRS-ja. Për këtë arsye EC konsideron se ky hap i Komunës së Prizrenit ka qenë i ngutshëm dhe paraqet shpenzim të paarsyeshëm të parasë publike për një investim, i cili së shpejti duhet të zëvendësohet në mënyrë që t’i përshtatet standardeve të kërkuar”, është thënë në komunikatën e “EC Ma Ndryshe”.
Sipas kësaj organizate, shenjat e vendosura kanë edhe gabime përmbajtjesore dhe teknike. “Shumica e shenjave kanë gabime të mëdha drejtshkrimore, pastaj në raste të caktuara ka pasaktësi, derisa nganjëherë përkthimet joadekuate në gjuhët përkatëse paraqesin defekte serioze. Po ashtu ka edhe gabime në kalkulim të distancave nga lokacioni i vendosur deri tek destinacioni. ‘EC Ma Ndryshe’ rekomandon që Komuna e Prizrenit, gjegjësisht Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Rural t’i merr parasysh çështjet e ngritura dhe t’i adresojë në mënyrë prioritare”, është thënë në këtë komunikatë.
/Epoka e re/