‘Ec ma ndryshe’ realizon performancën për një shfrytëzim të sigurt të hapësirave publike
Organizata “Ec ma ndryshe” ka realizuar performancën publike “Për një shfrytëzim të sigurt të hapësirave publike…” e cila ka adresuar rëndësinë e kujdesit të qytetarëve gjatë shfrytëzimit të hapësirave publike si pasojë e pandemisë Covid-19.
Gjatë kësaj performance është bërë shpërndarja e mesazheve senziblizuese lidhur me kujdesin që qytetarët duhet ta ndërmarrin gjatë shfrytëzimit të hapësirave të përbashkëta, me qëllim të zvogëlimit të mundësisë së përhapjes se këtij virusi tek shfrytëzuesit e tjerë potencial.
Po ashtu, është bërë vendosja e porosive për distancim social në parqet e qytetit të Prizrenit dhe mobiliarit urban përkatës.
Porositë senzibilizuese kanë bërë thirrje për përdorim të maskave, kujdes të higjienës personale dhe distancim të mjaftueshëm social në rrugë, sheshe, parqe dhe hapësira të tjera publike, ku frekuentimi i qytetarëve është vërejtur të jetë dukshëm më i koncentruar pas thirrjes së autoriteve shtetërore për evitimin e hapësirave të mbyllura.
EC ka parë me shqetësim se si në këto hapësira, të cilat u shërbejnë të gjithëve pa dallim, jo gjithmonë respektohen masat e paracaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Performanca publike “Për një shfrytëzim të sigurt të hapësirave publike…” u organizua në kuadër të aleancës për “Qytetari aktive dhe komuna përgjegjëse në Kosovë” e cila përkrahet financiarisht nga Olof Palme International Center, që mbështetet nga Qeveria e Suedisë.
(F.D / Epoka e re)