“Ec Ma Ndryshe”: Rrezikohen gjurmët e fundit të historisë dhe trashëgimisë së Prishtinës
Organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe” ka reaguar në lidhje me mundësinë e rrënimit të ish-Shtëpisë së Mallrave “Gërmia”, duke vlerësuar se po rrezikohen gjurmët e fundit të historisë dhe trashëgimisë së kryeqytetit. Sipas kësaj organizate, ish-Shtëpia e Mallrave “Gërmia” është një prej ndërtesave më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe pjesë e kujtesës kolektive të saj.
“Sot kjo ndërtesë është në rrezik të rrënimit, nën pretekstin e akomodimit të nevojave të një grupi të komunitetit artistik për ndërtimin e sallës koncertale në Prishtinë. ‘EC Ma Ndryshe’ konsideron se procesi i përcaktimit të lokacionit për sallën koncertale është jotransparent për publikun dhe rrënimi evntual i ndërtesës së ish-Gërmisë për akomodimin e një funksioni të ri do t’i cenonte vlerat e trashëgimisë së qytetit të Prishtinës dhe është në kundërshtim me parimet universale të trashëgimisë për mbrojtjen e shtresimeve historike të qyteteve”, është thënë në reagimin e “Ec Ma Ndryshe”.
Kjo organizatë ka vlerësuar se ish-Shtëpia e Mallrave “Gërmia” si për nga arkitektura, po ashtu edhe për nga momentumi shoqëror, paraqet një nga ndërtesat më të rëndësishme të Prishtinës pas Luftës së Dytë Botërore.