EC Ma Ndryshe: Të parandalohet rrënimi i ndërtesës në rrugën ‘Bajakli’ në Prizren
EC Ma Ndryshe përmes një njoftimi për media ka bërë me dije se kulmi i ndërtesës që gjendet në rrugën “Bajrakli” ka filluar të shembet.
“Kjo ndërtesë gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, që sipas Ligjit Nr. 04/L-066 (2012) trajtohet si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar. Kjo ndërtesë e banimit posedon vlera të trashëgimisë kulturore dhe paraqet një nga tipet karakteristike të arkitekturës së banimit të qytetit. Ndërtesa në fjalë, strukturalisht është në gjendje mesatarisht të dëmtuar dhe rrënimi i kulmit mund të ketë pasoja të pakthyeshme për ndërtesën”, është thënë në njoftimin e EC Ma Ndryshe.
EC Ma Ndryshe konsideron se duhet reagim urgjent nga Inspektorati i Komunës së Prizrenit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mënyrë që të parandalohet një rrënim i mundshëm dhe të ndërmerren masa preventive për sanimin e gjendjes.
/Epoka e re/