Ecuria e dialogut Kosovë-Serbi është tërësisht e paqartë

04 qershor 2020 | 13:19

Presidenti i Akademisë Diplomatike Shqiptare, Lisen Bashkurti, ka thënë se ecuria e dialogut Kosovë-Serbi është tërësisht e paqartë.

Në një intervistë për ‘Konfident’ ka thënë se kriza politike do ta tensionojë dhe polarizojë akoma më shumë klimën politike dhe institucionale në Kosovë.

“Polemika për hapjen e negociatave dhe përmbajtjen e tyre do thellohet akoma më tej. Mundësia për mbështetje politike të gjerë të procesit dhe përmbajtjes së negociatave duket se nuk do të ndodhë edhe për disa kohë. Klima e acaruar politike, polarizimi i skajshëm dhe mungesa e bazës së gjerë politike në mbështetje të negociatave dhe përmbajtjes së tyre janë pengesa serioze të brendshme në Kosovë”.

“Në rrafshin ndërkombëtar ka gjithashtu disa situata politike e diplomatike aspak të qarta, madje mund të thuhet të turbullta. Hapjen e negociatave e mbështesin të gjithë, në të gjithë hapësirat gjeopolitike dhe në të gjitha nivelet. Debatet, polemikat dhe mospërputhjet lidhen me projektin e lansuar për shkëmbimet territoriale, çka nënkupton copëtimin e Kosovës. Në BE dhe në Evropë ka dy alternativa në qasje me përmbajtjen e negociatave Serbi-Kosovë. Politika e jashtme dhe diplomacia e BE, sikundër qasja individuale e Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, shteteve të rajonit është kundër opsionit të ‘shkëmbimit territorial’, opsion ky i inicuar nga Serbia, i nxitur nga Rusia dhe i mbështetur nga liderët lokal, Thaçi dhe Rama. Në Shtëpinë e Bardhë, gjithashtu, paqartësitë janë të dukshme. Ka deklarime e qëndrime kontraverse, që kanë nisur në mënyrë të veçantë mbas emërimit të Richard Grenellit si i ngarkuar special për dialogun Serbi-Kosovë nga presidenti Trump”, ka thënë Bashkurti.

Ai ka theksuar se shqetësimi më serioz vjen nga mospërputhjet midis BE-së e Fuqive Evropiane dhe Shtëpisë së Bardhë lidhur me përmbajtjen përfundimtare të marrëveshjes Serbi-Kosovë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ka një diskordancë midis Evropës dhe SHBA-së, në mënyrën sesi po elaborohen idetë e përmbajtjes së marrëveshjes së pritshme si dhe shpejtësisë së arritjes së saj”, ka deklaruar Bashkurti.

Bashkurti ka shtuar se duke pasur parasysh se Kosova është projekt Euro-Atlantik, atëherë është e domosdoshme që midis Evropës dhe SHBA-së të ketë mirëkuptim të plotë për këtë projekt deri në përfundimin e tij.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Conor McGregor është gati të përballet me një nga legjendat…