![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/hasan-mujaj.jpg)
Ecuria historike për Republikën e Kosovës
Hasan Mujaj
Konferenca e Bujanit mori këtë vendim: miratohet e drejta e vetëvendosjes së popullit: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë! Shqiptarët e pritën krahëhapur këtë vendim; por, e kundërshtoi udhëheqja e partisë komuniste jugosllave.
Ecuria historike e Kosovës shtet. Ajo ishte e gjatë. Shumë e gjatë. Rreth njëshekullore. Shprehur me stilin metaforik, ishte ecuri përplot kreshta, shkëmbinj e rrëpira. Por, me vullnetin granit për të drejtat kombëtare, për themelimin e shtetit të Kosovës, qe ecuri e tejkalueshme: me flijimet heroike lapidarë të përhershëm dritëdhënës të astritëve dhe feniksëve lavdimëdhenj të UÇK-së, në bashkërendim me NATO-n, ecuria e gjatë e lirisë dhe e pavarësisë, u trupëzua.
Pretendimet e politikës serbe për të rrëmbyer territore shqiptare janë të hershme, sidomos nga platforma politike e Ilija Garashaninit, e quajtur “Naçertanija” dhe në vijimësi gjatë historisë, edhe sot! Kjo platformë u pasua edhe nga projektet e tjera antishqiptare të politikanëve e shkrimtarëve serbë që kishin një qëllim: për t’i ndjekur me detyrim shqiptarët nga trojet e tyre etnike sipas parashikimit të Vasa Çubriloviqit dhe Konventës jugosllave – turke të vitit 1938 ngjashëm me etnocidin e viteve 1877- 1878 që u bë nga Merdarja deri në Nish për t’i kolonizuar këto krahina me serbë.
Politika e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve do të veprojë edhe me projektet e I. Andriqit, D. Çosiqit, S. Milosheviqit për të vazhduar edhe sot me në krye A. Vuçiqin. Do theksuar fakti se, me gjithë krimet që Beogradi zyrtar i bënte mbi shqiptarët, sidomos në Kosovë si: burgosje të qytetarëve të pafajshëm, vrasje, izolime (është i njohur izolimi i dhunshëm i intelektualëve të lartë shqiptarë në Kosovë) etj., rezistenca shqiptare për kultivimin e identitetit kombëtar, nuk shpërbëhej, nuk ndalej, porse sa vinte e zgjerohej dhe përforcohej si në mërgatën shqiptare, ashtu edhe në etninë e saj.
Ajo (qëndresa shqiptare) vepronte e shënonte arritje të reja organizimi dhe konsolidimi për ta mbrojtur me penë e me armë tërësinë territoriale jo vetëm të Kosovës, por edhe të krahinave të tjera shqiptare si: Hoti, Gruda, Vranina, Plava, Gucia, Zhanica etj., të cilat (krahina), siç i përshkruan edhe Gjergj Fishta në kryeveprën “Lahuta e Malsisë”, kishte pretendim t’i aneksonte Mali i Zi me mbështetjen e Serbisë.
Për një strategji organizimi e veprimi sa më efikas të mbrojtjes së territoreve, shqiptarët formuan organizatën politike e quajtur “Balli Kombëtar” në vitin 1939, kryetar i së cilës u zgjodh gjeniu i kombit dhe kryetari i Kongresit të Manastirit, Mit-hat Abdyl Frashëri. Më pas u quajt edhe me emërtimin: “Lëvizja Kombëtare e Rezistencës” me një veprimtari të pasur kombëtare e antikomuniste dhe u shtri në Tiranë, Prishtinë e Tetovë për ta zgjeruar veprimtarinë gjithëkombëtare në tërë etninë shqiptare. Drejtuesit e saj, në disa qytete të Kosovës, u ndoqën dhe u burgosën nga diktatura komuniste serbe.
Lidhja e Dytë e Prizrenit
Ishte vijuese e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e vitit 1878, gjithnjë në funksion të zhvillimit të veprimtarisë kombëtare për të drejtat nacionale dhe për Shqipërinë etnike. Kuvendi për themelimin e kësaj Lidhjeje u mblodh në Prizren në shtator të vitit 1943 në të cilin morën pjesë delegatë që përfaqësonin qytete dhe krahina të ndryshme shqiptare. Ai mori vendim për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, së cilës i vihej detyrë parësore të organizonte mbrojtjen e trojeve të etnisë shqiptare. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica dhe më pas, në janar të vitit 1944, Bedri Pejani.
Megjithëkëtë, udhëheqja jugosllave asokohe shkeli të drejtën universale të vullnetit të popujve për deklarimin e lirë dhe, në mbledhjen e dytë të AVNOJ- it, mbajtur në Jajcë më 29-30 nëntor 1943, mori vendim që Kosova dhe krahinat e tjera shqiptare të mbesin në përbërjen e RSFJ-së.
Konferenca e Bujanit
Si reagim kundërvënës ndaj vendimit të Jajcës, rrodhi Konferenca e Bujanit, mbajtur më 31. 12 dhe 1 e 2 janar 1944; të pranishëm katërdhjetë e tre delegatë shqiptarë dhe gjashtë serbë; kryetar i Konferencës u zgjodh Mehmet Hoxha. Pas kritikave ndaj qëndrimit të Jajcës, Konferenca e Bujanit mori këtë vendim: miratohet e drejta e vetëvendosjes së popullit: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë! Shqiptarët e pritën krahëhapur këtë vendim; por, e kundërshtoi udhëheqja e partisë komuniste jugosllave. Rezoluta e Bujanit u nënshkrua për bashkimin e shqiptarëve!
Në këtë ecuri politike ndodhi një veprim antonimik e hipokrit nga kryetari jugosllav – J. B. Tito. Ai, për gazetën amerikane “Associated Press”, kishte deklaruar se Kosova dhe territoret e tjera shqiptare “do t’i kthehen Shqipërisë”; këtë qëndrim ia kishte shprehur edhe kryetarit të Shqipërisë – Enver Hoxha. Nga ana tjetër lideri jugosllav tumir kërkesën e gjeneralëve serbë sipas së cilës në Kosovë u vu administrimi i dhunshëm ushtarak më 8 shkurt të vitit 1945 me komandë në Prizren.
Do mbajtur parasysh fakti se, gjatë këtij administrimi, u vranë me mijëra shqiptarë. Vetëm gjatë muajve mars-prill të vitit 1945, në qytetin shqiptar – Tivar, u vranë rreth katër mijë shqiptarë nga ushtarakët serbë!
Dhe, vazhdon politika diskriminuese serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ajo, gjatë viteve të 50-ta, thelloi dhe zgjeroi përdorimin e dhunës dhe të burgosjeve të shqiptarëve; për ta ndjekur këtë politikë, ajo shpiku “arsyetimin” e mbledhjes së armëve dhe të flamurit kombëtar shqiptar. Me gjithë masat represive të politikës së punëve të brendshme, të UDB- së që drejtohej nga ministri antishqiptar A. Rankoviqi, lëvizja shqiptare nuk ndalej së vepruari për zhvillimin e të drejtave kombëtare. Rënia e Rankoviqit nga pushteti në Plenumin e Brioneve në korrik të vitit 1966, shënoi një kthesë të vogël në favorin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.
Si frymëzim i përforcimit dhe i labërgimit të lëvizjes shqiptare ishte edhe programi politik-kombëtar i shkrimtarit dhe i atdhetarit shkëmb i pathyer, i Adem Demaçit, i cili, me gjithë masat e dhunshme që ndërmerreshin ndaj tij nga UDB- ja serbe, përpara gjykatave të Serbisë, e thoshte të vërtetën për krimet që pushteti serb i bënte ndesh shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme.
Veprimtaria kombëtare, heroike e flijuese e Adem Demaçit për të drejtat e shqiptarëve u bë inspirim e burim i vrullshëm jehues për ta ndjekur rrugëtimin e tij.
Kërkesat e tij publike për zhvillimin e arsimit, të shkencës, të kulturës etj. në gjuhën shqipe, për simbolet kombëtare etj. krijonin dhe ndikonin në trajtimin dhe në zhvillimin e motivit kombëtar që aq shumë i duhej Kosovës asokohe. Për kërkesat e këtilla, A. Demaçi njëzet e tetë vjet i kaloi në burgjet e Serbisë si i burgosur politik ! E pabesueshme, por e vërtetë. Pasi diktati politik komunist i kohës nuk lejonte publikimin e shkrimeve të veprimtarisë patriotike të A. Demaçit, u gjet varianti pragmatik që ajo veprimtari me jehonë të madhe kombëtare të shprehej përmes këngësh që këndoheshin në oda e manifestime të ndryshme kulturore nga rapsodët popullorë. Edhe kjo mënyrë afirmative e kontributit të këtij vigani kombëtar do parë si shtysë nxitëse e kapital motivues i lëvizjes shqiptare të Kosovës për të drejtat kombëtare.
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës
Konsulta e Prishtinës ishte njëri nga përbërësit më të rëndësishëm të lëvizjes kombëtare gjithëshqiptare. Ajo shënoi një arritje të madhe jo vetëm në pikëpamjen e zhvillimit shkencor të gjuhës shqipe, por edhe në aspektin e integrimit dhe të përafrimit të kombit shqiptar, të ndarë me detyrim nga politika serbe në disa shtete.
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e mbajtur në muajin prill të vitit 1968, në të cilën morën pjesë studiuesit më të spikatur të shkencave albanologjike, historike, filozofike e të tjera dhe përfaqësues institucionesh të ndryshme si: të arsimit, të kulturës, të medieve etj., ndoqi parimin “Një komb – një gjuhë letrare” dhe miratoi Projektin e Drejtshkrimit të gjuhëtarëve specialistë të Tiranës.
Reagimet e Beogradit zyrtar e kundërshuan mbajtjen e Konsultës madje sendërtimin e saj e quajtën “homogjenizim kombëtar”, sepse, Beogradi thoshte: “gjuha e shqiptarëve të Kosovës quhet shiptarski jezik, në Shqipni quhet albanski jezik”; implikatura e këtyre shprehjeve nënkupton se shqiptarët duhet të jenë të ndarë edhe nga gjuha, ngase njësimi i gjuhës do të thotë njësim i kombit. Kundërshtitë e politikës serbe qenë aq të mëdha, saqë u kërkua nga udhëheqësit e Kosovës që të mos lejohej mbajtja e Konsultës! Kundërshtimi i Beogradit nuk u pranua nga politika shqiptare e Kosovës. Veprim shumë i drejtë. Madje udhëheqja politike e Kosovës i priti zyrtarisht organizuesit e Konsultës dhe i përgëzoi për këtë arritje të madhe jo vetëm shkencore, por edhe gjithëkombëtare
Konsulta e Prishtinës, me vendimin e marrë, u bë pararendëse e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe që u mbajt në Tiranë në nëntor të vitit 1972.
Për rëndësinë e Konsultës, linguisti prominent, akademik Eqrem Çabej shkroi: “Gjuha standarde, unike për tërë kombin, nuk ka vetëm rëndësi shkencore, për zhvillimin e saj shkencor, porse ka edhe rëndësi kulturore, politike dhe kombëtare.”
Demonstratat e studentëve të vitit 1968 shënuan një vazhdimësi më të gjerë publike të lëvizjes kombëtare. Ato shprehën revoltën përkitazi me gjendjen e vështirë dhe të padurueshme të rrethanave politike dhe ekonomike të shqiptarëve,, sidomos arsimore e kulturore; ato kërkuan përdorimin e lirë të simbolit kombëtar: të Flamurit, kërkuan themelimin e Universitetit të Prishtinës, statusin e Kosovës Republikë etj.
Këto demonstrata bënë një hap të madh përparimi sa u takon të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës: u lejua përdorimi i Flamurit dhe, diç më vonë, u themelua Universiteti i Prishtinës, më 15 shkurt 1970.
Burimi më i madh i diturisë, Universiteti i Prishtinës, u bë vatra më ndriçuese nga po ngriheshin lart, lart shkëndijat shkencore, arsimore, kulturore e kombëtare. Bashkëpunimi gjithnjë e më i ndërlidhur me Universitetin e Tiranës solli përafrime shkencore dhe gjithëkombëtare. Në degët e shkencave të albanistikës dhe të historisë u hapën edhe studimet pasuniversitare në të cilat ligjëronin edhe profesorët e Universitetit të Tiranës. Vitet e 70-ta shquhen edhe për disa arritje tejet të rëndësishme politike dhe shkencore të Kosovës; në vitin 1974 u miratua Kushtetuta e re jugosllave sipas së cilës avancohej statusi politik i krahinave me disa kompetenca në Federatën jugosllave. Për këtë ndryshim reagoi politika e Serbisë me pamfletin politik të quajtur “Libri i kaltër” me të cilin u kërkua që në Kosovë të mbizotërojë juridiksioni serb me reduktimin e kompetencave kushtetuese, sidomos në resorët: bashkëpunimi ndërkombëtar, punët e brendshme dhe arsimi.
Rezultate relevante e risimtare u zhvilluan edhe në veprimtarinë shkencore gjatë këtyre viteve: u themelua Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në vitin 1974 në kuadër të Fakultetit (atëherë) Filozofik (më vonë Fakulteti i Filologjisë), i cili vazhdon veprimtarinë edhe sot dhe zgjoi interesimin e madh dhe kërshërinë për studimet albanologjike në përmasat botërore.
Një vit më pas (më 10. 12. 1975) në Prishtinë u themelua institucioni më i lartë shkencor i një shteti: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës që ishte dëshmi se Kosova, edhe asokohe, kishte potencial shkencor, studiues elitarë dijesh të ndryshme dhe me zulmë ndërkombëtare. Ndonëse me pengesa të mëdha politike të diktatit të Beogradit, institucionet arsimore e shkencore të Kosovës vazhdonin rrugëtimin orientues për të ravijëzuar hulli të reja për të trupëzuar qëllimin kombëtar të lëvizjes shqiptare.
Nga ky këndkundrim do parë shënimi dhe ndriçimi shkencor i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për të cilën u mbajt Konferenca Shkencore në qershor të vitit 1978, me rastin e njëqindvjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Kjo Konferencë Shkencore bëri jehonë të madhe ndërkombëtare; ajo ringjalli programin gjithëkombëtar të Lidhjes, i cili (program) kishte qëllimin kryesor të formohej pavarësia e Shqipërisë sipas kufijve natyrorë të shtrirjes së saj etnike. Lëvizja shqiptare nuk ndalej së vepruari; ajo përgatitej për ndërhyrjet e reja.
Në marsin e vitit 1981 filluan demonstratat masive dhe madhështore të studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilat u bënë gjithëpopullore në tërë Kosovën; ato reagonin me të drejtë kundër shfrytëzimit të pasurive natyrore të Kosovës nga Serbia me brohoritjen kryesore: “Trepça punon, Beogradi ndërton “. Natyrisht kërkonin të ngrihej statusi politik e juridik i Kosovës në Republikë.
Kundër demonstruesve paqësorë filluan masat brutale: vrasjet, arrestimet, burgosjet etj. nga policia dhe ushtria serbe e jugosllave. U bënë përjashtimet nga puna dhe nga pozitat drejtuese të Universitetit etj.
Posa erdhi në pushtet, Milosheviqi shfuqizoi me diktat politik autonominë që i ishte dhënë Kosovës me Kushtetutën e vitit 1974 dhe mori masat rigoroze ndaj shqiptarëve si: përjashtimin nga puna të të gjithë shqiptarëve, mbylljen e të gjitha institucioneve të arsimit, mbylljen e medieve në gjuhën shqipe etj. Me këto veprime edhe në Kosovë synohej të zbatohej etnocidi ndaj shqiptarëve dhe të bëhej kolonizimi i madh me popullatën serbe ashtu sikundër ishte bërë me krahinën e Toplicës njëqind e dyzet e pesë vjet më parë.
Mirëpo, shqiptarët nuk u dorëzuan as gjatë kësaj gjendjeje terrorizuese që e bënte politika e Beogradit ndaj Kosovës. Ata imitonin një “pushtet paralel” dhe, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, kërkonin që çështja e Kosovës të zgjidhej me paqe e dialog. Por, Beogradi nuk e deshi dialogun, i bindur se Kosovën do ta mbante përherë me dhunë e diktaturë nën diktatin politik të Serbisë.
Shqiptarët u përcaktuan për dy politika: fillimisht për politikën e rezistencës paqësore, por, në heshtje, edhe për përgatitjen e luftës së armatosur. Strategjia e politikës me dialog i duhej Kosovës për ta yshtur faktorin ndërkombëtar se Prishtina ishte për zgjidhje paqeje. Mirëpo, pasi u dëshmua se Beogradi nuk pranonte marrëveshje dialogu, Kosovës iu imponua lufta.
Lufta e armatosur
Milosheviqi urdhëroi luftën pushtuese ndaj Kosovës; për këtë qëllim vuri në përdorim forca të mëdha ushtarake, policore e paramilitare për të kryer krime e masakra ndaj popullatës së paarmatosur shqiptare, të cilat befasuan botën demokratike.
Për ta mbrojtur popullatën civile nga terrori i forcave të armatosura serbe, doli UÇK- ja, e cila, ndonëse me armatim modest, por me moral të lartë, e betuar përpara Flamurit Kombëtar për t’u flijuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jo vetëm që fitoi disa beteja në përballjen me forcat ushtarake e policore serbe shumëfish më të mëdha në numër dhe me armatim modern, por krijoi panik të paparë te njësitë e forcave të armatosura serbe. Si shembull konkret, flet Beteja e Loxhës në të cilën armata serbe pësoi disfatë të madhe nga UÇK-ja dhe, pasi la disa ushtarë të vrarë, u detyrua të ikte me vrap drejt kazermave ushtarake të Pejës.
Mediet e Beogradit “e arsyetuan” këtë humbje me konstatimin gënjeshtar se “në fshatin Loxhë afër Pejës kanë hyrë qindra terroristë”.
UÇK- ja zhvilloi luftë mbrojtëse, të imponuar e të drejtë. Ajo nuk bëri masakra mbi popullatën civile serbe siç bënë ushtria, policia dhe paramilitarët serbë p. sh. janë të njohura edhe në nivelin ndërkombëtar masakrat në: Prekaz, Reçak, Mejë, Qyshk, Lybeniq, Krushë e Vogël, Likoshan e shumë të tjera.; UÇK-ja nuk vrau fëmijë, gra e të moshuar si ushtria e policia serbe; ajo nuk dhunoi e nuk dogji vendbanime të popullatës serbe siç dogjën shtëpitë dhe banorët shqiptarë ushtria dhe policia serbe e krime të tjera, të cilat befasuan politikën e diplomacinë ndërkombëtare.
Pasi kryetari serb refuzoi ta nënshkruante marrëveshjen paqësore të Rambujesë si dhe kërkesën e drejtpërdrejtë të emisarit të autorizuar amerikan- Riçard Hollbruk, pasoi ndërhyrja e sulmeve të NATO-s që, në aleancë me UÇK-në, e detyruan Beogradin ta nënshkruante kapitullimin.
Milosheviqi e humbi luftën e armatosur me të cilën mendonte për ta rrëmbyer Kosovën, prandaj Vuçiqi duhet ta dijë se s’ ka çka të kërkojë në Kosovë.
Lavdi e përhershme të gjithë dëshmorëve të kombit!