Edhe 16 raste të reja të të infektuarve në Shqipëri nga COVID-i
Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka përditësuar të dhënat për numrin e personave të vdekur dhe të infektuar me koronavirus. Tash numri i personave të infektuar ka shkuar në 377, nga të cilët 21 kanë ndërruar jetë. Rastet e reja në 24 orët e fundit ishin 16, ndërsa në total deri tani janë shëruar 116 persona – 33% e të infektuarve.
Deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë:
Në 24 orët e fundit janë testuar 175 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 2571 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 377 raste. Janë testuar gjithashtu 11 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të gjithë negativë nga COVID-19. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 21 qytetarë, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.
Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 116. Pra rreth 30% e të prekurve deri tani rezultojnë të shëruar.
Ju informojmë se në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive.Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 73 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Has, Berat dhe Shkodër.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 177 raste
– Durrës 38 raste
– Lushnje 5 raste
– Elbasan 10 raste
– Fier 26 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 16 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 44 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 2 rast
– Has 12 raste
– Krujë 5 raste
– Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 3 raste
Siç shihet, ka rritje të numrit të rasteve kryesisht në Shkodër, Tiranë dhe Has, që tregon edhe një herë mosrespektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë në komunikimet publike.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë t’i respektojnë masat e distancimit social. Siç e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat te të afërmit për çdo lloj arsye për ta parandaluar transmetimin e COVID-19.