Edhe 20 raste të reja me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 129 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, njëzet (20) prej tyre kanë rezultuar pozitive.
Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) prej të cilave janë me vendbanim në Banjë -Malishevë, dy (2) me vendbanim në Malishevë, një (1) me vendbanim në Bllace-Suharekë, një (1) me vendbanim në Drenas dhe një (1) me vendbanim në Prishtinë.
IKSHPK-ja ka njoftuar se sot është shëruar edhe një pacient derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri me sot është 24.
“Nga data 08.02.2020 deri me 06.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.093 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 165 raste me tre raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, është bërë me dije një njoftimin e IKSHPK-së.
/Epoka e re/