Edhe 35 raste me Covid-19 në Ferizaj, shkon në 55 numri i të infektuarve
Rezultatet e pranuara pak çaste më parë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, konfirmuan se edhe 35 ferizajas janë të infektuar me virusin Covid-19 duke çuar numrin e përgjithshëm të ferizajasve të prekur në Ferizaj në 55.
Të gjithë personat e konfirmuar pozitiv me Covid-19 janë kontakte familjare, kolegë e kontakte të këtyre të fundit (palë të treta) nga rastet e fundit të konfirmuara pozitive me virusin Covid-19.
Këto rezultate vendosin Ferizajn në mesin e komunave ku ekziston numri më i lartë i të infektuarve me virusin Covid-19.
“Ka disa javë që institucioni i Komunës përmes Shtabit Emergjent po apelon për qëndrim në shtëpi, ju lutemi bashkëqytetarë, kjo është e vetmja rrugë, e vetmja masë që të shmangim valën e frikshme të infeksionit në shkallë të gjerë në Ferizaj. Mjekët e infermierët po derdhin djersën e tyre që situatën ta mbajnë në kontroll, shtabi emergjent ka aktivizuar gjithë levën institucionale preventive, vazhdimisht po kontaktohen qytetarë nga lista e kontaktit të të infektuarve, andaj mbetet vetëm të shmangni panikun e të qëndroni në shtëpi, gjithçka do të kaloj së shpejti. Duke qëndruar në vetizolim, me kujdesin maksimal për shëndetin, urojmë shërim të shpejt për të gjithë të infektuarit me Covid-19 në Ferizaj”, është thënë në njoftimin e Komunës së Ferizajt.
/Epoka e re/