Edhe 36 zyrtarë policorë i shtohen Njësisë Speciale Operative

06 tetor 2023 | 19:36

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se nga e premtja 36 zyrtarë policorë i janë shtuar Njësisë Speciale Operative.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se 36 zyrtarët policorë “do të jenë vlerë e shtuar” e Njësisë Speciale Operative.

“Djemtë e vajzat tona brenda kësaj Njësie do të shërbejnë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim në çdo cep të territorit të Republikës sonë”, shkroi.

Kreu i MPB-së u shprehu mirënjohje të gjithëve që në uniformën e Policisë së Kosovës po garantojnë sundim të rendit dhe ligjit, “po mbrojnë sovranitetin e integritetin territorial të vendit tonë”.

Policia e Kosovës më 24 shtator, në Banjë të Zveçanit, u sulmua nga një grup terrorist, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri, tanimë heroi Afrim Bunjaku.

Për këtë sulm, autoritetet e Kosovës kanë fajësuar drejtpërdrejtë Serbinë – e cila nuk është distancuar fare, madje ka shpallur ditë zie në nderim të terroristëve të vrarë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, kryekrimineli Milan Radojiçiç.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, e kanë dënuar këtë sulm terrorist, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Prokurorit të Specializuar njofton se ka arrestuar Ismet…