Edhe 51 afganë largohen nga Kosova
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar se sot janë larguar nga Kosova edhe 51 qytetarë afganë, të cilët ishin strehuar përkohësisht për disa javë në Republikën e Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ata do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për një jetë më sigurt dhe më të mirë në ShBA.
“Sapo u përshëndetëm me 51 qytetarë afganë, të cilët i strehuam përkohësisht për disa javë në Republikën e Kosovës. Si pjesë e marrëveshjes me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ata do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për një jetë më sigurt dhe më të mirë në SHBA. Qeveria e Kosovës, bashkë me NATO-n dhe Qeverinë e SHBA-ve, do të vazhdojë bashkëpunimin edhe më tutje, për të realizuar me sukses transferimin e qytetarëve afganë nga Kosova për në vendet e tjera. Jemi të përkushtuar për një shoqëri demokratike dhe që bashkë me aleatët tanë të ndihmojnë në ndërtimin e paqes dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Sveçla.