Edhe 6 raste të reja në Gjilan, ky është reagimi i Lutfi Hazirit
Situata është nën menaxhim të plotë nga organet e emergjencave civile dhe shëndetësore.
Pas rezultateve të sotme janë konfirmuar gjashtë raste me koronavirus në komunën e Gjilanit. Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri ka bërë me dije se situata është nën kontroll.
“Situata është nën menaxhim të plotë nga organet e emergjencave civile dhe shëndetësore”, ka shkruar Haziri.
Postimi i plotë i Hazirit në “Facebook”:
#Dita63. Sapo u njoftuam nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike se nga 67 mostrat, 6 rezultuan pozitive me #Covid19, 4 prej të cilave në qytet dhe 2 në Përlepnicë. Urojmë që të infektuarit ta përballojnë sa më lehtë dhe pa shqetësime. Situata është nën menaxhim të plotë nga organet e emergjencave civile dhe shëndetësore. Ndërkohë, gjatë ditës, pata kënaqësinë që ta pres për vizitë pune ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, miken time Hykmete Bajrami, e cila e vlerësoi Gjilanin si modelin më të mirë në Republikës për zhvillimin e mësimit në distancë.
Faleminderit shumë për mbështetjen e madhe!
Përndryshe, Gjilani po vazhdon me sukses programet e mësimit online. E uroj për mbajtjen me sukses të Kuizit të Diturisë shkollën e artit pamor “Adem Kastrati”!
(V.Z / Epoka e re)