Edhe BE-ja do ta sanksionojë naftën ruse
Bashkimi Evropian pritet të vendosë sanksione ndaj naftës ruse të mërkurën teksa forcat ruse po godasin objektiva në lindje të Ukrainës, duke sulmuar me raketa fabrikën e çelikut në Mariupol, që është pika e fundit e rezistencës.
Moska nuk ka shfaqur asnjë shenjë se do të tërhiqet edhe pothuajse dhjetë javë pasi ka nisur, atë që e cilëson si “operacion të posaçëm ushtarak”, luftë që ka vrarë mijëra persona, ka shkatërruar qytete dhe ka detyruar 5 milionë ukrainas të largohen nga vendi.
Vendosja e sanksioneve do të kishte një ndikim më të madh financiar sesa sanksionet ndaj qymyrit që ka propozuar BE-ja, pasi sanksionimi i naftës dhe gazit do të ishte një goditje e madhe në të ardhurat vjetore ruse.
Ekonomia e Rusisë prej 1.8 trilion dollarësh po shkon drejt tkurrjes së saj më të madhe që nga vitet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991.
Presidenti rus Vladimir Putin, po ashtu, ka njoftuar për planet ruse për t’i bllokuar eksportet e lëndës së parë për mbështetësit e Kievit. /Telegrafi/