Edhe BE-ja e zhgënjyer me vendimin e ri të Kurtit për targat serbe
Vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës, për shkallëzim të zbatimit të vendimit për targat e veturave të serbëve të Kosovës, nuk ka hasur në mirëkuptim nga partnerët ndërkombëtarë.
Pas reagimit të djeshëm të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili tha se ndihet “i zhgënjyer” dhe “i shqetësuar” me qeverinë e Kosovës, edhe BE-ja ka dalë me një qëndrim të ngjashëm.
Nabila Massrali, zëdhënëse për punët e jashtme dhe sigurinë në Komisionin Evropian, ka deklaruar se “është zhgënjyese” që nuk janë përfillur këshillat e “partnerëve më të afërt të Kosovës” rreth kësaj çështjeje.
“Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit (të targave), i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur”, ka thënë Massrali në një reagim publik.
Ndër të tjera, zëdhënësja e KE-së për punë të jashtme dhe siguri, tha se “Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”.
“Ndërsa vendimi është një hap në drejtimin e duhur, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët”, theksoi Massrali.
Zëdhënësja e KE-së tha se është e domosdoshme ruajtja e qetësisë. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës”.
BE-ja, tha ajo, do të vazhdojë, së bashku me partnerët e saj, të angazhohet si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë.
“Ne presim që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje pa vonesa të mëtejshme, në përputhje të plotë me Marrëveshjet e Dialogut”, përfundoi reagimi publik i Komisionit Evropian për vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës rreth targave.
Pas shpalljes së vendimit të djeshëm, reagoi Departamenti Amerikan i Shtetit, duke thënë se SHBA-ja është e “zhgënjyer” dhe “e shqetësuar” që Qeveria e Kosovës nuk i ka përfillur kërkesat e ndërkombëtarëve për çështjen e targave.
Kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës ka qenë që vendimi për targat të shtyhet për 10 muaj deri në 1 vit. Të premten, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se largimi i targave të vjetra do të zbatohet gradualisht.
Ai tha se shoferëve fillimisht do t’u jepen paralajmërime për tre javë, pastaj do të gjobiten për një periudhë prej dy muajsh, e ndjekur nga një periudhë e targave të përkohshme të makinave. Nëse deri më 21 prill nuk i ndërrojnë targat, automjetet e tyre do t’u konfiskohen.