Edhe Bullgaria i reagon presidentes së Maqedonisë së Veriut

13 maj 2024 | 12:33

Presidenti dhe kryeministri bullgar, Rumen Radev dhe Dimitar Glavçev, kanë reaguar ashpër ndaj inaugurimit të presidentes së re, Gordana Siljanovska Davkova, e cila gjatë betimit nuk e ka quajtur Maqedoni e Veriut, por vetëm si Maqedoni.

Radev ka thënë se Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të vitit 2017, si dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare të nënshkruara nga Maqedonia e Veriut, raporton portali bullgar “BNR”.

Presidentja e sapozgjedhur Gordana Siljanovska-Davkova, dje ka shkaktuar një reagim të ashpër dhe paralajmërime nga Greqia dhe BE-ja, pasi ajo ka thënë gjatë betimit se do të “respektojë Kushtetutën dhe të mbrojë pavarësinë e Maqedonisë”, duke përdorur emrin që vendi kishte para nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës

“Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e shpreh qëndrimin se marrëveshjet duhet të zbatohen”, ka thënë Radev dhe ka paralajmëruar se “perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut varet nga zbatimi i përpiktë i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe nga korniza negociuese e miratuar nga Këshilli Evropian në korrik 2022, e cila nuk do të rishikohet”.

Kryeministri i Bullgarisë, Glavçev ka theksuar se Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, nga e cila burojnë obligimet dhe përgjegjësitë përkatëse.

“Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të vitit 2017 dhe, në parim, me marrëveshjet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, është thënë në përgjigjen e Gllavçevit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova para tetë vjetësh është bërë anëtarja e 210-të e…