Edhe deputeti i Bundestagut thotë se qëndrimi i Gjermanisë është kundër ndryshimit të kufijve
Presidenti i Serbisë është takuar me nënkryetarin e grupit kryesor parlamentar në Bundestagun gjerman, Johann Wadephul, dhe me këshilltarin e jashtëm të këtij grupi, Joachim Falenski.
Ata ia paraqitën Aleksandar Vuçiqit qëndrimin gjerman në lidhje me ndryshimin e kufijve, qëndrim të cilin e bëri të qartë kancelarja Angela Merkel.
“Ne mendojmë se nuk është mirë të vizatohen kufij të rinj mes Kosovës dhe Serbisë. Qëndrimi i Gjermanisë është që dy palët duhet të diskutojnë dhe të gjejnë zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, por ne nuk do të ndryshojmë qëndrimin në lidhje me kufijtë”, ka thënë deputeti gjerman, Johann Wadephul, raporton televizioni serb “N1”, transmeton Koha.net.
Ndërsa, Ambasadori britanik në Beograd, Denis Keefe, ndonëse ditë më parë tha se duhet të merren parasysh të gjitha rreziqet dhe çmimet për çështjen e ndryshimit të kufijve, sot nuk deshi të flet për këtë çështje.
“Për këtë nuk flasim sot. Faleminderit, por sot flasim për projekte të IT-së”, tha Ambasadori Keefe.
Përveç takimit me dy zyrtarët gjerman e britanik, Vuçiq është takuar sot edhe me zëvendëspresidentin e Bordit Drejtues të Fondacionit për Shoqëri të Hapur, Alexander Soros.
Siç u tha pas takimit, Sorosi ka thënë se Ballkani ka nevojë për zgjidhje të problemit të Kosovës, ndërsa për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi duhet edhe ndihma e shoqërisë civile