Edhe dy ditë afat për nxjerrjen e dokumenteve të Kosovës mbi bazën e atyre serbe

28 prill 2025 | 16:56

REL – Edhe dy ditë skadon afati për të marrë dokumente të Kosovës mbi bazën e atyre që lëshohen nga organet serbe për qytetet në Kosovë – sikurse certifikata e lindjes, martesës apo vdekjes.

Një pjesë e qytetarëve, kryesisht nga komuniteti serb, nuk kanë mundur të marrin dokumente të Kosovës pasi kishin vetëm dokumente të lëshuara nga institucionet serbe, të cilat autoritetet e Kosovës nuk i njohin.

Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) në nëntor të vitit të kaluar mori një vendim që lejon regjistrimin në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës mbi bazën e dokumenteve serbe.

Bazuar në ekstraktin nga libri amë i lindjeve, ndër të tjera, aplikuesit mund të fitojnë shtetësinë e Kosovës, gjë që më pas u mundëson nxjerrjen e letërnjoftimit, realizimin e të drejtave të ndryshme administrative dhe të tjera.

Sipas MPB-së, nga 1 shkurti deri më 25 prill, janë kryer gjithsej 4.330 regjistrime në sistemin kosovar mbi bazën e dokumenteve serbe.

Nuk ka të dhëna zyrtare të sakta për numrin e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe që posedojnë dokumente kosovare, pasi ky komunitet, sidomos në katër komunat në veri, ka bojkotuar regjistrimin e popullsisë më 2024.

Sipas vlerësimeve të sektorit civil serb dhe autoriteteve lokale në komunat me shumicë serbe, në Kosovë jetojnë rreth 100.000 serbë. Një raport i organizatës joqeveritare Aktiv nga viti 2023, me titull “Analiza e trendëve, qëndrimet e komunitetit serb”, tregoi se mbi 90 për qind e 536 të anketuarve posedojnë dokumente të Kosovës.

“Pavarësisht pretendimeve se në veri të Kosovës ka rezistencë më të madhe ndaj nxjerrjes së dokumenteve kosovare, është e qartë se shumica dërrmuese kanë marrë letërnjoftimet e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në raport.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës të hënën u ka bërë thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën për regjistrim gjatë dy ditëve të mbetura, pasi pas datës 30 prill një gjë e tillë më nuk do të jetë e mundur.

Çfarë ndodh pas skadimit të afatit për regjistrim?

MPB-ja nuk i është përgjigjur pyetjes së “Radios Evropa e Lirë” nëse pas skadimit të afatit do të tolerohen ende dokumentet serbe, siç ka ndodhur në raste të veçanta kur qytetarët kishin vetëm letërnjoftime të lëshuara nga organet e Serbisë.

Zyrtarisht, institucionet e Kosovës i konsiderojnë institucionet serbe që funksionojnë në qytetet e Kosovës si paralele dhe ilegale, ndërsa Beogradi refuzon t’i mbyllë ato pasi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.

Në fillim të vitit 2024, autoritetet e Kosovës kanë nisur mbylljen e institucioneve serbe, përfshirë organet e përkohshme komunale që ishin përgjegjëse për lëshimin e ekstrakteve të lindjes dhe dokumenteve të tjera. Edhe pas mbylljes, këto institucione nuk e kanë ndërprerë punën, por janë zhvendosur në qytetet kufitare në territorin e Serbisë.

Çfarë dokumentesh kërkohen për regjistrim në sistemin e Kosovës?

Vendimi i MPB-së parasheh që të drejtë për të aplikuar për regjistrim në sistemin e Kosovës kanë të gjithë qytetarët që nga 10 qershori 1999 deri më 1 shkurt 2025 kanë qenë të regjistruar vetëm në sistemin serb.

Pas datës 1 shkurt 2025, ekstraktet e lindjes apo vdekjes do të mund të nxirren vetëm përmes një kërkese të veçantë për regjistrim të mëvonshëm në zyrat komunale të gjendjes civile.

Për regjistrimin civil mbi bazën e dokumenteve serbe, kërkohet paraqitja e ekstraktit origjinal nga libri amë i lindjeve të Serbisë për të aplikuar për shtetësinë e Kosovës, dhe më pas për dokumentet që kërkohen. Gjithashtu, njëri nga prindërit e fëmijës duhet të jetë shtetas i Kosovës.

Deri më tani, serbët në Kosovë janë përballur me vështirësi të shumta për të fituar shtetësinë, për shkak se institucionet nuk i kanë njohur ekstraktet më të reja të lëshuara nga autoritetet serbe.

Ligji për shtetësinë e Kosovës parasheh që shtetësia të fitohet përmes lindjes, naturalizimit dhe në bazë të nenit 32 – që përcakton se shtetas të Kosovës konsiderohen të gjitha personat që më 1 janar 1998 kanë qenë shtetas të Jugosllavisë dhe kanë pasur atëherë vendbanim të përhershëm në Kosovë.

Në vendimin e MPB-së për marrjen e dokumenteve të Kosovës mbi bazën e atyre serbe thuhet gjithashtu se për regjistrimin në librin amë të lindjeve duhet të paraqitet edhe letërnjoftimi i Kosovës, i prindërve.

Sektori civil serb në Kosovë ka theksuar disa herë problemet me të cilat përballet komuniteti serb sa i përket regjistrimit të lindjeve, marrjes së shtetësisë dhe sigurimit të dokumenteve personale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gianluigi Buffon, ish-portieri legjendar dhe sot shef i delegacionit të…