Edhe dy raste të reja me koronavirus, shkon në 35 numri i të prekurve
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar njëzet (20) mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe dy prej tyre janë pozitive.
“Dy prej rasteve pozitive janë raste kontakti njëri me vendbanim nga fshati Petrovë Komuna e Shtimes, e gjinisë mashkull, mosha 44-vjeçare dhe tjetra me vendbanim në Prishtinë e gjinisë femër, e moshës 39-vjeçare”, është bërë me dije në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas IKSHPK-së, nga data 08.02.2020 deri me 23.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 604 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej tridhjetë e pesë (35) raste kanë rezultuar pozitive.
/Epoka e re/