Edhe dy të vdekur nga koronavirusi në Shqipëri
Rëndohet bilanci i epidemisë së koronavirusit në Shqipëri. Mbrëmjen e së shtunës kanë ndërruar jetë dy persona, një në Spitalin Infektiv dhe një në Spitalin e Shkodrës. Në spitalin e Shkodrës shtetasja me iniciale R.H.
Ajo u ekzaminua pozitiv me Covid-19 gjatë mbrëmjes së sotme, ku e infektuar rezultoi edhe motra e saj. 80-vjeçarja është viktima e parë e Covid-19 në Shkodër.
Ndërkohë gjatë orëve të mbrëmjes në Spitalin infektiv ka ndërruar një paciente 84-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID19.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pacientja me inicialet S.D, e shtruar prej 4 ditësh në spitalin infektiv kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese: artrit reumatoid, fibrillation arterial dhe hipertension.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv për ta asistuar në kohë, pacientja nuk ia ka dalë të mbijetojë.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Numri i viktimave nga COVID19 ka arritur në 20. Ndërkohë numri i personave të prekur që nga nisja e epidemisë është 333. Ndërsa numri i personave të shëruar është 99.
Ditën e sotme është regjistruar dhe numri më i madh i personave të prekur, 29.