Edhe Franca i ka shpallur luftë “Huawei”-t
Pas Britanisë së Madhe edhe Franca i ka shpallur luftë “Huawei”-t, ku prej vitit 2028 do të përjashtojë rrjetin 5G. Kompania gjigante kineze, merr një tjetër goditje pas përjashtimit nga infrastruktura britanike e vendosur nga qeveria e Boris Johnson.
Autoritete franceze u kanë thënë operatorëve të telekomunikacionit se ata mund të përdorin pajisje të kompanisë “Huawei” 5G, vetëm deri në vitin 2028 dhe më pas, nëse vijojnë me të njëjtat ritme, atëherë kontratat e tyre nuk do të rinovohen.
Kjo strategji do të shkëpusë në mënyrë efektive firmën kineze nga rrjeti 5G, ku mes një stuhie gjeopolitike në rritje mes dy superfuqive globale, SHBA dhe Kinës, Franca kërkon të fitojë terren për tregun e saj për gjenerata që do të vijnë në të ardhmen.
SHBA-ja, theksojnë se pajisjet e kompanisë “Huawei” mund të përdoren nga qeveria kineze për spiunazh, akuza të cilat janë mohuar nga Pekini zyrtar. Ata kanë vijuar një fushatë duke bërë presion të vazhdueshëm ndaj shteteve aleate për të ndaluar rrjetin 5G të kompanisë kineze.
Agjencia e Sigurimit Kibernetik në Francë, thotë se do të lejojë operatorët të përdorin pajisjet, duke përfshirë edhe “Huawein”, por me një licencë që pritet të jetë nga 3 deri 8 vjet.
Qëndrimi i Emmanuel Macron-it është i ngjashëm me atë të britanikut Boris Jonson, i cili njoftoi se pas 31 dhjetorit të 2020 do të ndalohet blerja e të gjitha pajisjeve të reja të rrjetit 5G, të prodhuara nga kompanitë kineze.
Me këto qëndrime të shteteve evropiane, kompania kineze e gjen veten të përjashtuar deri tani nga dy tregje shumë të rëndësishme të telekomunikacionit.
Ende nuk dihet se cili do të jetë shteti i radhës që do t’i bashkohet fushatës së superfuqisë amerikane, për të zbuar rrjetin 5G të firmës kineze nga territori i tyre./Klan Plus/