Edhe Franca kundër ndryshimit të kufijve
Franca, njësoj sikurse Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Burime të gazetës serbe “Veçernje Novosti” kanë thënë se gjatë konferencës së ambasadorëve të mbajtur javën e kaluar, në të cilën ka marrë pjesë edhe presidenti i Francës, Emannuel Macron, është shfaqur kundërshtimi për çfarëdo ndryshimi të kufijve apo të vijave administrative në rajon.
Qëndrimi Parisit në lidhje me këtë çështje është madje edhe më i fortë sesa qëndrimi i Berlinit, transmeton “Epoka e re”.
“Parisi zyrtar frikësohet se çfarëdo ndryshimi i kufijve mundet të shkaktojë reagime zinxhirore. Madje edhe nëse theksohet se e gjitha ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë një burim për gazetën serbe i cili ka qenë pjesëmarrës në këtë konferencë.
Kjo ka të bëjë, para së gjithash me situatën në të cilën Republika Serbe do të përpiqej ta ndjekë shembullin e veriut të Kosovës. Francezët rreptësishtë u qëndrojnë parimeve të Badinterit që kufijtë republikanë brenda ish-Jugosllavisë të shpallen kufij shtetërorë.
Marrëveshja përfundimtare për Kosovën, sipas gazetës, do të mundet të formulohej pikërisht në Francë, në margjinat e shënimit të 100-vjetorit të fitores së aleatëve në Luftën e Parë Botërore, që do të mbahet më 11 dhe 12 nëntor në Paris.