Edhe Gjermania foli, ç’duhet të bëjmë ne?

11 qershor 2022 | 22:49

Shkruan: Hajdin Abazi

Një ditë pas samitit të Ballkanit të Hapur, ku u bë i qartë qëndrimi amerikan ndaj kësaj nisme, duke e inkorprouar në gjeopolitikën e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, ndodhi një ngjarjet tjetër e rëndësishme në Kosovë dhe në Serbi: vizita e kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Sinkronizimi është i dukshëm, ashtu sikurse edhe bashkërendimi SHBA-BE lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, që me ardhjen në pushtet të presidentit Biden u rikthye koordinimi SHBA-BE lidhur me Ballkanin Perëndimor përgjithësisht e me dialogun Kosovë-Serbi posacërisht.

Në këtë vazhdë, duhet konceptuar edhe vizita e kancelarit Scholz.

Ajo çka është më e rëndësishmja, ka të bëjë me atë që tha kancelari, duke e bërë publik qëndrimin e Gjermanisë, e me këtë edhe të Bashkimit Evropian. Në një farë mënyre ishte rikonfirmim i asaj që e kishte thënë më herët edhe kancelarja Merkel (viti 2011), vetëm se tash, në kontekst të ri, ishte një lloj theksimi si kusht, krejt i domosdoshëm. Pikërisht kjo, paraqet një kthesë të madhe edhe të BE, tashmë aktiv dhe i përkushtuar kundrejt Ballkanit Perëndimor.

Këtë qëndrim është munduar me vite të tëra ta prolongojë Serbia duke bërë egzibicione politike, duke luajtur me shumë karta njëherësh, me akrobacione herë me Rusinë e herë me Kinën si për ta distrahuar BE-në duke paraqitur mundësi partneriteti me ato superfuqi si alternativë e BE-se, me synimin për të përfituar për Serbinë e në kurriz të rajonit e posaçërisht të Kosovës. Por lufta pushtuese e Rusisë në Ukraninë – solli rrethana të reja kur tashmë duhet të ndahet shapi nga sheqeri. Manovrat gjeopolitike të Serbisë përmes gjeotaktikave të ndryshme herë me Rusinë e herë me Kinën, e herë bashkë më të dyjat, kanë ardhë në një konstelacion kur nuk mund të vazhdohen më, dhe nuk mund të vazhdohen sepse SHBA-BE nuk mund të lëjojnë një rrezik permanent në një segment të rëndësishëm euro-atlantik sikurse është Ballkani Perëndimor.

Pikërisht për këtë, kancelari Scholz e nënvizoi se Serbia duhet të vendosë edhe sanksione ndaj Rusisë. Ai e tha shkoqur: “Ne presim që sanksionet të zbatohen edhe nga ato vende që janë të përfshira në procesin e anëtarësimit në BE”. E Serbia është në këtë process, madje ia kanë hapur dhe kapitullin e 35-të, ku janë konditat për anëtarësim në BE. Nëse Serbia nuk I vë sanksione Rusisë, atëherë ajo nuk ndjek qëndrimin e BE-së. Pritja e BE-së, në të vërtetë, është kërkesë, është një kusht që Serbia të futet në kornizat e gjeopolitikës së BE.

Kthesa e qëndrimit gjeopolitik SHBA-BE ndaj Ballkanit Perëndimor dhe sidomos ndaj Serbisë, është ajo çka Kosova ka shpresuar që nga psalufta e vitit 1999, e sidomos qysh pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke e deklaruar Republikën.

Po çka është kjo kthesë kaq përcaktuese politike?

Kancelari gjerman Scholz, e bëri të qartë se Serbia nuk do të mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian po qe se nuk e njeh shtetin e Kosovës. Ai tha qartë:

“Marrëveshja (dmth për anëtarësim në Bashkimin Evropian) duhet të qartësojë përfundimisht edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që reciprokisht nuk e njohin njëri-tjetrin, të bëhen anëtarë të BE-së”.

Kjo, sikurse e pranoi edhe vetë A. Vucic, për herë të parë u tha kaq decidivisht, ashtu sikurse nuk ishte thënë me këtë decidivitet asnjëherë më parë nga ansjë shtet i Bashkimit evropian, ndonëse e kishte vënë në pah edhe kancelarja Merkel (në vizitën Serbisë më 2011). Kuptimi i kësaj është se kjo është gjeoplitika e re e Bashkimit Evropian lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe kondita e anëtarësimit në BE. Nuk ka se si të lexohet ndryshe ky mesazh i qartë i Gjermanisë. Prandaj dhe Wolfgand Ischinger, ish përfaqësues i BE për Kosovën, shkroi në twitter: “Bravo Olaf Scholz: Gjuhë e qartë për Beogradin mbi temën e njohjes së Kosovës nga Serbia!”

Se ky qëndrim i BE është e sinkronizuar me SHBA e tha edhe A. Vucic në konferencën për shtyp me kacelarin Scholz, duke thënë se kjo kërkesë i ishte bërë para tre vjetësh nga SHBA, e tash edhe nga një shtet i fuqishëm evropian sikurse është Gjermania. Me këtë, ai deshi të vinte në pah fuqinë me të cilën po i vihej kushti Serbisë për në BE.

Efekti i këtij qëndrimi gjerman është i drejtpërdrejtë, që domethënë se asnjë anëtar i ri, pra asnjë shtet, nuk mund të pranohet, të bëhet anëtar, i Bashkimit Evropian, po qe se nuk pajtohen të gjitha shtetet anëtare të BE-së. E kjo, edhe po të bëhej ndonjë tentativë anashkaluese, atë do ta pengonte Gjermonia – këtë e bën të qartë ajo që tha kancelari gjerman për marrëveshjen e Serbisë me BE-në për anëtarësim.

Se A. Vucic u ndje në siklet edhe në konferencën e 10 qershorit në Beograd, kjo është e vetëkuptueshme. Ai, më mirë se ndoshta askush tjetër në Serbi, e di se çfarë domethënie ka ky qëndrim politik i Gjermanisë e që vlen edhe për Bashkimin Evropian, sepse bëhet fjalë për parimin themelor të saj si kusht që duhet plotësuar për anëtarësim. Kjo ka qenë e ditur nisur nga parimet bazë të BE-së, por Serbia ka shpresuar që të anashkalohet ky parim dhe asaj t’i bëhet një benefit si joshje për t’u larguar nga sferat e interesit ruso-kinez. Por kur ky parim thuhet publikisht dhe i partikularizuar me njohjen e Kosovës nga Serbia, bëhet e qartë se ëndrrat e Serbisë për t’u privilegjuar në kurriz të Kosovës – u shuan mirëfilli.

Kjo që ka deklaruar kancelari Scholz është e derivuar tërësisht nga parimet bazë të BE-së, por pesha e saj është se publikisht iu tregua Serbisë se rruga e saj drejt BE-së nuk do të mund të vazhdojë pa njohjen e Kosovës. Ky nuk është qëndrim pro-Kosovë e anti-Serbi, do të ishte gabim të rezonohej kështu. Ky është vetëm një konfirmim se vlejnë parimet bazë të BE-se dhe se ato do të zbatohen pa përjashtim, pra se Serbia nuk mundet të përparojë në këtë drejtim pa njohjen e Kosovës. Do të mjaftonte dhe vetëm kjo për ta bërë aq të fuqishëm qëndrimin gjerman, por kur kësaj i shtohet edhe qëndrimi i SHBA-ve në të njëjtat koordinata, atëherë shihet se ky, në thelb, është bashkëdyzim i gjeostrategjisë SHBA-BE. Madje, këtë, disa herë e kanë paralajmëruar, tërthorazi, edhe ndërmjetësuesi evropian i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajčák, por edhe Josep Borrell Fontelles.

Përderisa politika zyrtare e Serbisë do të pritet të rikonfigurojë taktikat e veta si manovrime e që suma suma rum do të rezultojnë të pa suksesshme, sepse të gjitha përpjekjet do t’i dështojnë për të minuar gjeopolitikën SHBA-BE, në anën tjetër Kosova është në një pozicion më të volitshëm.

Pamjet nga takimi midis kryeministrit dhe presidentit të Kosovës me kancelarin gjerman Scholz, të përshkuara nga sharmi, buzëqeshja dhe ngrohtësia miqësore, pasqyronin shpresën dhe perspektivën e re, që hapi qëndrimi gjerman respektivisht europian. E krejt e kundërta vërehej nga pamjet e konferencës së shtypit Scholz-Vucic në Beograd, ku fytyra serioze e kancelarit gjerman shprehte vendosmërinë e paluhatshme për aplikimin e parimeve bazike të BE, kurse fytyra e skuqur dhe lëvizjet e sikletshme të A. Vucic – shprehnin sjelljen e njeriut që sheh tek i shembet besimi (i rremë) se do të mund ta vazhdonte lojën destruktive dhe obskurantiste, dhe se Serbia do të duhet me doemos të bëjë veprime na kahet e treguara nga Gjermania dhe më parë nga SHBA.

Se Kosovës iu hap një dritare e re shprese e perspektive, diçka e pritur dhe e besuar për shumë e shumë vite, është një hap përpara absolutisht dhe shumë me peshë, por, natyrisht, nuk nënkupton se gjithçka ka marrë fund. Është krejt e kundërta. Politika zyrtare e Kosovës, përfshirë Qeverinë dhe Presidencën, duhet që ta shfrytëzojë këtë momentum të ri gjeopolitik të sinkronizuar SHBA-BE, që po ashtu të rishikojë, t’i revidojë e t’i rikalibrojë qëndrimet kosovare, duke vepruar në mënyrë proaktive dhe me dinamikë të shtuar, e jo duke pritur që dikush ta kapë për dore e t’i thotë, bëje këtë hap çka po pret! Kjo nuk duhet të ndodhë, sepse ky momentum kërkon politikanë largpamës që nuk janë me mentalitet të ngushtë partiak, me konservatorizëm e inate provinciale dhe të ngurrtë, por energjik, realist por gjithsesi edhe perspektivist.

Madje, nga vizita e kancelarit gjerman të 10 qershorit u qartësua edhe një qëndrim tjetër, ekskluzivisht i lidhur me Ballkanin Perëndimor, por që i adresohet edhe Kosovës. Ndonëse nuk u tha decidivisht, konceptualisht aty është nisma e Ballkanit të Hapur.

Kancelari Olaf Scholz nënvizoi:

“Dua të theksoj qartë se ne prioritet i japim tregut të përbashkët rajonal që mendojmë që duhet të përparojë dhe çështjet që janë brenda tij mund të çohen përpara. Është e rëndësishme që të arrihen përparimet që janë të arritshme. Të gjithë duan të shkojnë në BE dhe atje janë të vlefshme rregullat e lirisë së lëvizjes. Dhe kushdo që do të shkojë atje, duhet t’i zbatojë ato”

Nëse zbërthehet kjo, do me thënë se (Gjermania/BE) i japin prioritet “tregut të përbashkët rajonal”, e Ballkani i Hapur është pikërisht një treg i përbashkët rajonal. Dhe, për më tepër, “çështjet që janë brenda tij mund të çohen përpara”.

Ky proces bashkëpunimi, përmes tregut të përbashkët rajonal, e ritheksoi kancelari Scholz, i bazuar në “rregullat e lirisë së lëvizjes” janë të vlefshme edhe në BE. Me një fjalë, zbatimi i rregullave të lirisë së lëvizjes në rajon – është në përputhje më parimet bazë të BE.

Se çfarë domethënie ka kjo, e nënvizoi qartë kancelari gjerman: kushdo që do të shkojë në BE, duhet t’i zbatojë ato rregulla të lirisë së lëvizjes. Më qartë se kaq, nuk ka se si të thuhet. E kjo duhet të lexohet e të ngulitet mirë në mendje nga të gjithë politikanët ballkanas, pa përjashtim sepse nuk është lojë fjalësh por është fryma e BE-së.

Nëse zbulohet konotacioni i kësaj që theksoi kancelari gjerman, atëherë del se Ballkani i Hapur konsiderohet si treg i përbashkët rajonal – midis gjashtë shteteve, i cili duhet të bazohet në rregullat e lirisë së lëvizjes (për të gjithë shtetet dhe pa asnjë pengesë, sepse atëherë nuk quhet liri e lëvizjes), rregulla këto që janë bazament i BE. Dhe kërkesa, ose porosia e qartë (duket drejtuar sa Serbisë aq dhe Kosovës): nëse dëshironi të ecni drejt Bashkimit Evropian, zbatojini rregullat e lirisë së lëvizjes.

Për Serbinë kjo duhet të lexohet si thirrje që ta zbatojë lirinë e lëvizjes, sepse, dihet botërisht, se ajo disa herë ka penguar lirinë e lëvizjes së kosovarëve si bizneseve, sportistëve, njerëzve të kulturës etj. Serbia nuk mundet të përparojë drejt BE pa i zbatuar rregullat e lirisë së lëvizjes, sepse në BE nuk ka zbatim selektiv, herë po e hërë jo, të këtyre rregullave, por ato zbatohen ndaj të gjithëve njëlloj e pa asnjë pengesë.

Për Kosovën kjo i bën të qartë se nismat e tregut të përbashkët rajonal – sikundër është edhe Ballkani i Hapur, pra si veprimtari ekonomike e mbështetur në lirinë e lëvizjes, është në frymën e BE, madje se prioritet i saj është pikërisht bashkëpunimi rajonal. Kjo është një thirrje, e tërthortë, drejtuar pushtetit kosovar, që të ndryshojë qasjen, e një ditë më herët e tha SHBA se përkrahë Ballkanin e Hapur si aspekt ekonomik rajonal, kurse po këtë e konfirmoi edhe kancelari gjerman. Me këtë, u bë e qartë se Ballkani i Hapur tashmë shihet si “treg i përbashkët rajonal” që de facto duhet të bazohet në rregullat e lirisë së lëvizjes”, gjë që është në frymën, teorinë, parimet dhe kriteret e BE.

Më qartë se kaq, nuk ka se çka të thuhet.

Dhe, nënkuptohet, se proceset e tjera, si Procesi i Berlinit, CEFTA etj. nuk suprimohen, por janë procese të tjera, që do të vazhdojnë dhe Ballkani i Hapur konceptohet si suplemantar.

Kjo tregon qartë se politikanët kosovarë duhet të reflektojnë, të bëjnë analiza dhe të ripërshtaten më këto rrethana të reja, të kalibrojnë qëndrimet duke i bërë adapte me gjeopolitikën e re SHBA-Be. Vetëm kështu, Kosova do të tregohet konstruktive, do të mund t’i sinkronizojë dhe t’i kalibrojë qëndrimet e veta partikulare si segment të gjeoplitikës SHBA-Be.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka përshëndetur kërkesat…