Edhe Haradinaj reagon ndaj deklaratës së Vuçiqit, thotë se Serbia ruan paturpësisht mendësinë kriminale të Millosheviqit
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja.
“Urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit, ‘se masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999 është e fabrikuar'”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit.
“Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera dhe urrejtja ndaj secilës etni është vepër e dënueshme me ligj.
Është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja, duke kontaminuar kështu të ardhmen e tyre dhe duke zvogëluar shanset për paqe dhe pajtim në rajon”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/