Edhe “Infrakos”-i kalon në VALA
I tërë personeli i Ndërmarrjes Publike “Infrakos” që nga fillimi i këtij muaji do të kenë numra të VALA-s, sikurse pjesa më e madhe e institucioneve publike e shtetërore dhe kompanive të shumta private.
Kjo u mundësua pas nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Gent Begolli dhe kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Infrakos”, Agron Thaçi, marrëveshje kjo, e cila automatikisht të gjithë stafin e kësaj ndërmarrje e kalon në operatorin publik Vala.
“Me këtë marrëveshje të lidhur sot dhe ato që kemi lidhur deri më tani, janë një tregues sinjikativ se gjithnjë e më tepër është duke u rikthyer besimi në shërbimet dhe produktet që ofron Vala, ndërkaq me përforcimet e bëra në rrjet si dhe me ofertat e reja që do t’i promovojmë në javët në vazhdim, synojmë që të kthejmë tek ne edhe shumë institucione të tjera”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli.
Nga ana e tij, kryeshefi ekzekutiv i “Infrakos”-it, Agron Thaçi, ka bërë me dije se tash e tutje personeli që ai udhëheq do të ketë lehtësime dhe përparësi të tjera të komunikimit që është një ndihmesë e madhe teknike për mbarëvajtjen e punëve operative.
“Me VALA-n do të kemi shumë përfitime në shumë drejtime, por mbi të gjitha do të na ndihmojë në kryerjen më efektive të punëve tona operative, qoftë në aspekt të komunikimit, por edhe të shfrytëzimit të internetit të shpejtë”, ka thënë Thaçi.
Kthimi dhe bashkimi me VALA-n i këtyre ndërmarrjeve publike, komunave, bizneseve, institucioneve universitare, etj, paraqet rëndësi të madhe për Valën, sidomos tash së fundi kur i duhen mjete financiare dhe konsumatorë të rinj që do ta ndihmojnë në konsolidimin dhe zhvillimin e strategjisë biznesore dhe arritjes së objektivave të përcaktuara nga menaxhmenti ekzekutiv dhe bordi.
/Epoka e re/