Edhe ish-eprori i UÇK-së, Sadik Halitjaha, merr ftesë nga Gjykata Speciale
Ish-eprori i UÇK-së, Sadik Halitjaha, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale.
Lajmin e ka bërë me dije vet Halitjaha.
Ai ka treguar se më 28 janar duhet të paraqitet në Gjykatën Speciale.
“Sikur shumë luftëtarë të tjerë të UÇK-së, ne kemi fatin e përbashkët, sidomos eprorët që nga kreu i SHP të UÇK-së e deri në nivel të zonave kanë arritur t’ i thërrasin Zyra e Prokurorit të Dhomave të Soecializuara të Hagës. Unë kam marrë ftesën më 17 dhjetor të vitit 2019 dhe duhet të paraqitem më 28 janar të këtij viti, por ftesën nuk e kam bërë publike për dy arsye. E para, sepse deri tani nuk desha t’i kënaqja dashakëqinjtë, atyre që shprehen kundër luftës së UÇK-së, të cilët gëzohen aq shumë kur e marrin një lajm të tillë. Pastaj e ekzagjerojnë me ato termet e tyre të ndragëta, se Haga po e dridh Kosovën, se po vjen epoka e Speciales. Unë nuk e kuptoj se çfarë tërmeti i imagjinuar është ky në mendjet e tyre. Nëse neve nuk na ka përkulur Serbia me tanke me gjithë ato forca dhe ne i kemi dalë luftës përballë, si mund të dridhemi në mbrojtje të së drejtës dhe së vërtetës. Kjo është një e keqe e domosdoshme, për shkaqe që dihen. Arsye tjetër, është se qeveritë tona nuk patën aftësi për ta bërë shtetin ligjor. Aq më keq, kjo është gjykatë që i ndjek dhe burgos vetëm ushtarët e UÇK-së, luftëtarët e lirisë, atdhetarët më të përkushtuar e më besnikë të vendit”, ka thënë mes tjerash ish-zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Pashtrikut gjatë luftës, Sadik Halitjaha, në një prononcim të tij për TV Diellin.