Edhe katër lojtarë do të largohen nga Milani
Milani po bën një revolucion total këtë merkato, teksa shumë lojtarë po largohen nga klubi kuqezi.
Serinë e largimeve e hapi Fabio Borini të enjten, i cili zgjodhi Veronën. Pas tij ishte dhe Mattia Caldara, i cili kaloi tek Atalanta në huazim me të drejtë blerje për 15 milionë euro. Vetëm këto dy largime janë zyrtare, por gjithsesi nuk mbaron me kaq, pasi janë edhe katër lojtarë të tjerë me valixhe në duar.
Ricardo Rodriguez është vetëm një hap larg kalimit te Fenerbahçe, njësoj si Reina e Piatek, të cilët kanë si destinacion Premierë Ligën. Spanjolli pritet ta zgjidhë kontratën dhe të kalojë tek Aston Villa, ndërsa polaku do të kalojë te Tottenhami për 35 milionë euro. Piatek pritet të firmosë një kontratë për tre vjet e gjysmë. Largimi i gjashtë pritet të jetë Franck Kessie, për të cilin interesohen disa ekipe.