Edhe këtë vit Kosova në OKB nga pozicioni i njëjtë
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka bërë me dije se nuk mund të priten gjëra të mëdha për Kosovën nga sesioni i 73-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ai ka deklaruar se edhe këtë vit Kosova në OKB do të jetë nga pozicioni i njëjtë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se, përveç njohjeve, diplomacia e Kosovës në takimet bilaterale duhet të flasë për dialogun me Serbinë dhe çështjen e anëtarësimit në Interpol.
“Mendoj se përmendja e dialogut duhet bërë sa për të testuar sa janë të gatshme shtetet anëtare të OKB-së që në rast të arritjes së një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë ta shqyrtojnë seriozisht anëtarësimin e Kosovës në OKB. Këtu mendoj duhet testuar cili do të ishte qëndrimi i Kinës dhe i Rusisë në rast se krijohet një momentum i ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Gashi.
Megjithatë, Gashi ka pranuar se kjo është diçka që jo plotësisht mund të parashikohet në mënyrë hipotetike. “Pra, është vështirë që me siguri të plotë, në rast të një marrëveshje Kosovë – Serbi, Kina dhe Rusia të lëvizin nga pozicionet e tyre kundërshtuese karshi anëtarësimit të Kosovës në OKB. Në këtë funksion, mendoj unë, duhet të përmendet tema e dialogut në këtë forum. Një gjë është e qartë, se edhe këtë vit Kosova do të jetë në OKB nga pozicioni i njëjtë, ndaj s’mund të presim gjera të mëdha”, ka thënë Gashi.
Ai i ka ftuar institucionet e Kosovës që në lobimin gjatë këtij sesionit të asamblesë të fokusohen edhe në çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Interpol. “Unë uroj që këtë vit të jenë bërë tashmë përgatitjet dhe kontaktet e nevojshme për ta marrë mbështetjen e shumicës së shteteve anëtare për anëtarësim në Interpol. Natyrisht edhe në kuadrin e këtij sesioni duhet të punohet me shtetet veç e veç për të realizuar këtë synim. Nuk mund të them me siguri të plotë se do të anëtarësohemi, pra kam një fije optimizmi se kjo do të ndodhë”, ka deklaruar Gashi.
Ndonëse e pabarabartë me shtetet e tjera, diplomacia e Kosovës, sipas Gashit, duhet ta shfrytëzojë këtë forum, kryesisht për ta shtyrë përpara agjendën e njohjeve, duke zhvilluar takime me burrështetas të shteteve të ndryshme, edhe të atyre vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Epoka e re”: Z. Gashi, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka filluar punimet. Ky forum ndërkombëtar shihet si një mundësi e mirë për diplomacitë botërore që t’i shtyjnë përpara interesat e tyre. Çfarë duhet të bëjë diplomacia e Kosovës?
Gashi: Në javën në të cilën po hyjmë, nga 24 shtatori deri më 1 tetor, do të zhvillohen takimet e nivelit të lartë në kuadër të sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Temat e debatit do të jenë kryesisht të interesit global, si: Agjenda për zhvillim të qëndrueshëm, parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve jongjitëse, komemorimi dhe promovimi i ditës për eliminimin total të armëve nukleare dhe tema të tjera. Sigurisht, përveç këtyre temave të mëdha, në këtë forum ndodhin dhjetëra takime formale e joformale ku diskutohen edhe tema të tjera. Shtetet e veçanta e shfrytëzojnë këtë forum për të diskutuar edhe për tema të ndryshme të karakterit bilateral apo regjional. Natyrisht edhe diplomacia e Kosovës, edhe pse merr pjesë në një format jo të barabartë me shtetet e tjera, tash e një kohë të gjatë është munduar ta shfrytëzojë këtë takim të rëndësishëm shumëpalësh, kryesisht për ta shtyrë përpara agjendën e njohjeve, duke zhvilluar takime me burrështetas të shteteve të ndryshme, edhe të atyre vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, por që këtu në margjina të konferencës kanë pranuar të takohen më përfaqësuesit e Kosovës. Mendoj se kjo përpjekje duhet të vazhdojë nga diplomacia jonë edhe këtë vit. Është shumë me rëndësi që paraprakisht nga misioni ynë diplomatik në Nju Jork dhe në Uashington të jenë aranzhuar sa më shumë takime për delegacionin tonë.
“Epoka e re”: Siç dihet këto raste diplomacia serbe i shfrytëzon mjaft mirë për ta kundërshtuar çështjen e njohjeve për Kosovën. Si duhet të reagojë Kosova ndaj këtyre veprimeve të shtetit serb?
Gashi: Diplomacia serbe është në pozitë më të favorshme për të vepruar në këtë forum nga pozicioni i të qenit anëtar i OKB-së. Diplomatët serbë i kanë më të lehta takimet, kanë qasje në të gjitha takimet që zhvillohen në kuadër të këtij sesioni. Kanë më shumë qasje në media. Sigurisht nga diplomacia jonë duhet shumë dinamikë dhe energji për ta shfrytëzuar çdo mundësi për t’i takuar gjithë ata përfaqësues me të cilët takohen diplomatët serbë për ta minuar pozicionin e shtetit të Kosovës.
“Epka e re”: Këtë vit prioritet i Kosovës është anëtarësimi në Interpol. Do të duhej që diplomacia jonë të fokusohej në lobim rreth kësaj çështje?
Gashi: Uroj që këtë vit të jenë bërë tashmë përgatitjet dhe kontaktet e nevojshme për ta marrë mbështetjen e shumicës së shteteve anëtare për anëtarësim në Interpol. Edhe në kuadrin e këtij sesioni duhet të punohet me shtetet veç e veç për të realizuar këtë synim. Nuk mund të them më siguri të plotë se do të anëtarësohemi, par kam një fije optimizmi se kjo do të ndodhë.
“Epoka e re”: Prej shpalljes së pavarësisë, sa mendoni se i ka shfrytëzuar Kosova mbledhjet e asamblesë së OKB-së?
Gashi: Këto takime vjetore në OKB diplomacia dhe politika e Kosovës i ka shfrytëzuar deri diku. Janë zhvilluar shumë takime joformale në margjina të konferencës nga të cilat kemi pasur si impakt të drejtpërdrejtë arritjen e njohjeve të reja. Nuk mund të themi se është shfrytëzuar maksimalisht çdo mundësi që ofrohet këtu. Sigurisht se ka mundur të bëhet më tepër kur kihet parasysh se delegacioni i Kosovës që ka udhëtuar në fund të shtatorit në Nju Jork ka qenë numerikisht i madh.
“Epoka e re”: Kosova është në prag të fillimit të fazës finale të dialogut me Serbinë. Gjatë punimeve të asamblesë së OKB-së, krerët e shtetit të Kosovës a do të duhej ta adresojnë edhe këtë çështje?
Gashi: Përmendja e dialogut duhet bërë sa për të testuar sa janë të gatshme shtetet anëtare të OKB-së që, në rast të arritjes së një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, ta shqyrtojnë seriozisht anëtarësimin e Kosovës në OKB. Këtu mendoj duhet testuar cili do të ishte qëndrimi i Kinës dhe i Rusisë në rast se krijohet një momentum i ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo është diçka që jo plotësisht mund të parashikohet në mënyrë hipotetike. Pra, është vështirë që me siguri të plotë, në rast të një marrëveshje Kosovë – Serbi, Kina dhe Rusia të lëvizin nga pozicionet e tyre kundërshtuese karshi anëtarësimit të Kosovës në OKB. Në këtë funksion, mendoj unë, duhet të përmendet tema e dialogut në këtë forum. Një gjë është e qartë, se edhe këtë vit Kosova do të jetë në OKB nga pozicioni i njëjtë, ndaj dhe s’mund të presim gjëra të mëdha.
Muhamet KOCI